Mercedesi proteston për rezultatin në Abu Dhabi

Mercedesi ka paraqitur protestë në FIA lidhur me garën vendimtare për titull të kampionit në Formula 1, të mbajtur të dielën në Abu Dhabi.


Protesta ka të bëjë me hyrjen e makinës së sigurisë, përkatësisht rifillimin e garës. Lewis Hamilton humbi nga Max Verstappen në garën për titull të kampionit, pas një rifillimi të vonshëm nga drejtori i garës, Michael Masi.

Makina e sigurisë u thirr pas një aksidenti të Nicholas Latifi dhe Masi fillimisht tha se ngasësit nuk lejoheshin të parakalonin makinën e sigurisë, duke lënë pesë bolidë midis Hamiltonit dhe Versappenit.

Por Masi ndërkohë udhëzoi bolidët të parakalonin makinën e sigurisë, duke lënë Verstappenin dhe Hamiltonin që të garonin në xhiron e fundit për titull. Natyra e rifillimit të garës ka shtyrë Mercedesin e Hamiltonit që të bëjë dy protesta të FIA-s. Protestat kanë të bëjnë me rifillimin dhe rezultatin.