Mendja kosovare: si të ndalet shpopullimi ndër shqiptarë

Akademik Rexhep Qosja ka cekur temën mprehtë të shpopullimit, kudo ku banojnë shqiptarë, duke dhënë dhe një recetë se si mund ta ndalohet kjo, pa marrë në konsideratë se është fjala për një trend që tejkalon kufij kombëtare, i cili ka përfshirë dhe shumë vende të Lindjes dhe Europës Qendrore.


“Është e nevojshme të bëhet çmos për punësimin e të rinjve, kurse atyre që nuk mund të punësohen t’u sigurohen të ardhura mujore siç bëhet në Francë me çka ndalet emigrimi i tyre.

Është e nevojshme që njëmendësia politike shtetërore shqiptare të lirohet prej tri të këqijave të mëdha që cenojnë zhvillimin demokratik, që nxisin mosdurimin e qytetarëve ndaj strukturave politike, partiake shtetërore, që cenojnë prestigjin e shqiptarëve në botë të lirohet sa më shpejt dhe sa më rrënjësisht prej korrupsionit, prej nepotizmit dhe prej krimit të organizuar”, tha mendja kosovare në tryezën shkencore me temën “E ardhmja politike e shqiptarëve” e organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dhe Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave Tiranë.

Nga ana tjetër, sa i përket jetës akademike, Qosja kërkoi nëj unifikim mes dy anëve të kufirit.

“Është e nevojshme që të krijohet një Akademi e Përbashkët e Shkencave dhe Arteve e Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka dyshim se krijimi i një akademie të tillë do të pasuronte shumë, do pasuronte vëllimisht dhe cilësisht krijimtarinë shkencore në të gjitha fushat e shkencave dhe do lironte mendimin tonë krijues prej partishmërive prej veçimeve krahinore dhe prej veçimeve të anshme që kanë pushtuar dy akademik, e në mënyrë të veçantë Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës”. /tesheshi.com/