Kush është Bekim Sali, pasardhësi i Venko Filipçes?

Sipas informatave të javores Fokus, Sali në vitin 2008 ka qenë shef i kabinetit të ministrit të atëhershëm të shëndetësisë, Bujar Osmanit.

Pas disa negociatave disaditore, Alternativa e Afrim Gashit dhe ende lideri aktual dhe kryeministri Zoran Zaev më në fund arritën marrëveshje, me çka Alternativa do të merr tri poste ministrore në Qeverinë e udhëhequr nga LSDM-ja ndërsa për ta do të futen edhe disa ministra pa resor, shkruan Fokus, raporton Gazeta Populli.

Partia nga rradhët e veta do të emërojë ministra në Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrisë së Shoqërisë Informative dhe Administratës, një ministër pa resor në krye të diasporës dhe ministrat e të rinj pa resor që do të prezantohen.

Partia do të emërojë edhe zëvendësministrat e saj në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Kulturës dhe sipas të gjitha gjasave edhe në Ministrinë e Bujqësisë.

Për një periudhë të gjatë, që nga koha kur kanë nisur negociatat në publik, më së shpeshti përmendet emri i Bekim Saliut, si pasardhës i ministrit aktual të Shëndetësisë, Venko Filipçe, raporton Gazeta Populli.

Por, kush është Bakim Sali, emri i të cilit nuk njihet aq shumë? Sipas informacioneve të “Fokus”, ai ka hyrë në ujërat politike para pesë-gjashtë vitesh dhe aktualisht është Sekretar i Përgjithshëm i Alternativës, ku ka zëvendësuar Skënder Rexhepin.

Ai me profesion është stomatolog dhe ka ordinancën e tij private, si dhe biznes me tekstil. Sali është i martuar dhe baba i tre vajzave.

Gjatë zgjedhjeve lokale, Saliu kandidoi për kryetar të komunës së Çairit të Shkupit si kandidat i përbashkët i Alternativës dhe Aleancës për Shqiptarët së Zijadin Selës, por humbi nga kryetari aktual i komunës nga rradhët e BDI-së, Visar Ganiu.

Ajo që dihet edhe më pak, siç pohojnë burimet tona të mirëinformuara, është se Saliu për një kohë të shkurtër në vitin 2008 ka qenë shef i kabinetit të ministrit të atëhershëm të Shëndetësisë Bujar Osmani nga BDI, në kohën kur VMRO-DPMNE dhe BDI ishin partnerë të koalicionit.