Që tre ditë një pjesë e Kondovës dhe Sfillares kanë mbetur pa ujë për pije dhe për çështje të tjera teknike. Nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” nuk japin detaje se sa do të zgjas defekti dhe se kur pritet të përfundoj riparimi. Ndërsa banorët shprehen të revoltuar dhe paralajmërojnë masa radikale, sipas tyre është e papranueshme që në shekullin 21 tre ditë të mbetesh pa ujë, shkruan Alsat.mk.

“Është e papranueshme, nuk tolerohet një gjë e tillë. Tre ditë të mbetesh pa ujë, është abnormale. Jemi totalisht të paralizuar, nuk mund të funksionojmë. Nga Ujësjellësi na thonë se do dërgojnë cisterna për ujë për pije. Por uji për pije është problemi më i vogël sepse atë mund ta blesh edhe në shitore, por çfarë të bëjmë me çështjet tjera teknike, larja e teshave, dushi, enët dhe shumë nevoja të tjera të amvisërive”, tha një banor i Kondovës.

“Unë nuk kam koment, vërtet është një situatë e papërballueshme. Fëmijët duhet të pastrohen të rregullohen për në shkollë, punëtorët për në punë, dhe paramendoni mos të keni ujë, kjo ndodh vetëm tek ne”, tha një tjetër banor i Kondovës.

Ndërkohë nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, njoftojnë se bëhet fjalë për një defekt të madh të një gypi F400 dhe se po punohet në mënjanimin e defektit, por pa mos saktësuar se kur pritet të përfundoj riparimi./Alsat.mk