Komandanti i lartë ushtarak i Indisë është vrarë në një aksident helikopteri në shtetin jugor indian, Tamil Nadu, sipas Forcave Ajrore.

Shefi i Shtabit të Mbrojtjes Gjeneral Bipin Rawat, gruaja e tij dhe 11 të tjerë vdiqën pasi helikopteri u rrëzua në kodrat pranë qytetit Coonoor të mërkurën në mëngjes, njofton Klan Kosova.

Një i mbijetuar po trajtohet për plagët e marra në spital, shkruan BBC.

Gjenerali Rawat, 63 vjeç, u emërua Shefi i parë i Shtabit të Mbrojtjes të Indisë në janar të vitit 2019.

Rawat kishte qenë në krye të një sërë operacionesh, duke përfshirë Kashmirin që administrohet nga India.

Forcat Ajrore të Indisë kanë urdhëruar për një hetim për aksidentin, i cili ndodhi në një mot me mjegull. Një komitet i sigurisë së kabinetit po mban seancë urgjente, të kryesuar nga kryeministri Narendra Modi.

“[Gjenerali Rawat] solli me vete një përvojë të pasur në shërbimin në ushtri. India nuk do ta harrojë kurrë shërbimin e tij të jashtëzakonshëm. Një patriot i vërtetë, ai kontribuoi shumë në modernizimin e forcave tona të armatosura dhe aparatit të sigurisë”, ka shkruar Modi në Twitter.