Interi e shkatërron Cagliarin dhe e merr kreun e Serie A

Interi e ka shkatërruar 4:0 Cagliarin të dielën, duke e marrë kreun e tabelës në Serie A pas dështimeve të Milanit dhe Napolit.

Lautaro Martinez me dy gola dhe Alexis Sanchez e Hakan Calhanoglu me nga një gol në Giuseppe Meazza ia siguruar Interit triumfin që e bën atë lider të ri në Serie A.

Interi erdhi në këtë takim i vetëdijshëm se triumfi do ta bënte t’i kalojë rivalët për titull, duke e parë barazimin e Milanit me Udinesen të shtunën dhe disfatën e Napolit ndaj Empolit të dielën.

Kampioni në fuqi tani mbledh 40 pikë në vendin e parë, i ndjekur nga Milani me 39, Atalanta 37 dhe Napoli 36.

Ndërkohë, kjo disfatë për Cagliarin ishte vetëm konfirmim i formës së tmerrshme të këtij ekipi, i cili para këtij takimi i kishte katër barazime radhazi.

Si pasojë, Cagliari bie në vendin e parafundit në tabelë me vetëm 10 pikë, dy pikë larg zonës së shpëtimit.

Zikaltrit vuajtën gjysmë ore për ta thyer akullin, kur Martinez shëoi me kokë për 1:0 pas një harkimi nga këndi të Calhanoglut.

Martinez e humbi mundësinë ta dyfishoi epërsinë në fund të pjesës së parë, kur Alessio Cragno e priti penalltinë e tij.

Sanchez e dyfishoi epërsinë e vendasve në minutën e 50-të, kur shënoi me gjysmë vollei pas një harkimi nga Nicolo Barella.

Calhanoglu shënoi pastaj me një goditje të mrekullishme nga largësia për 3:0 në minutën e 66-të, para se Martinez ta çonte në 4:0 epërsinë vetëm dy minuta më vonë me golin e dytë personal në takim.

Interi kishte shumë mundësi të tjera shënimi gjatë ndeshjes, por Cragno ua mohoi golin në shumë raste zikaltërve me pritjet e tij të mrekullueshme.