Një vath ari i rrallë i shekullit XI, me sa duket nga Lindja e Mesme, është gjetur në Danimarkë, njoftoi sot Muzeu Kombëtar i Danimarkës.

Bizhuteria u zbulua nga Frants Fugl Vestergaard, me ndihmën e një detektori metali, në një fushë në Jutlandën Perëndimore.

”Ky është zbulimi i parë i një objekti të tillë në Skandinavi”, tha në një deklaratë muzeu i Kopenhagës.

”Vathi ndoshta e ka origjinën në Bizant ose Egjipt dhe mendohet të jetë një dhuratë nga perandori i Bizantit për një prijës viking”, shtoi ai.

“Është krejtësisht unike për ne”, tha eksperti i muzeut Peter Pentz.

“Ne njohim vetëm 10 deri në 12 ekzemplarë të tjerë në mbarë botën dhe nuk kemi gjetur kurrë një të tillë në Skandinavi”, shtoi ai.

”Vikingët sollën mijëra monedha argjendi nga sulmet, udhëtimet dhe ekspeditat e tyre tregtare, por pothuajse asnjë bizhuteri”, tha Pentz.

Ai shprehu habinë për vendin e zbulimit, pasi nuk kishte asnjë vend të njohur viking aty pranë.

Ari nga Bizanti ishte gjetur më parë si objekt varrimi në varret e vikingëve.

Vathi përbëhet nga një pllakë floriri në formë gjysmëhëne, e futur me smalt në një kornizë fije ari të zbukuruar me topa të vegjël ari dhe shirita ari.

Motivi janë dy zogj të stilizuar rreth një bime që simbolizon pemën e jetës.