Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se ka ndryshuar programi i pritjes dhe përcjelljes së kufomave të viktimave të aksidentit tragjik në Bullgari.

Nuk do të ketë kortezh, pasi familjarët e viktimave kanë kërkuar që kufomat t’i pranojnë para namazit të xhumasë, me të cilin vakt edhe pritet të varrosen me ceremoni fetare islame.

“Njoftim për ndryshimin e orareve të pritjes dhe dërgimit të viktimave të aksidentit në Bullgari nëpër shtëpitë e tyre dhe varreza.
Zonja dhe zotërinj,
Ju njoftojmë se eshtrat e qytetarëve që humbën jetën në aksidentin e autobusit në Bullgari pas transportit të tyre në aeroportin e Shkupit, do të dërgohen menjëherë në shtëpitë e tyre dhe në varreza. Ky ndryshim vjen në përputhje me kërkesat e disa familjeve të viktimave, në mënyrë që trupat të dorëzohen para namazit të Xhumasë.
Për qytetarët që duan të bëjnë nderime, mbetet mundësia që këtë ta bëjnë në sheshin “Skënderbeu” nga ora 10 deri në 13:00!”, thuhet në njoftim.