Eurointegrimi i RMV-së, temë e takimit tradicional të Osmanit me ambasadorët nga Katërshja e Vishegradit

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot ka mbajtur takim me ambasadorët e vendeve nga Katërshja e Vishegradit – Ishtvan Laslo Duks nga Hungaria, Mirosllav Toman nga Republika Çeke, Vojçeh Tiçinski nga Polonia dhe Henrik Markush nga Sllovakia, me të cilët ka biseduar për sfidat në procesin e zgjerimit dhe hapat në periudhën e ardhshme.


“Takim i bukur tradicional me ambasadorët e vendeve anëtare të Katërshes së Vishegradit: Ishtvan Laslo Duks, Mirosllav Toman, Vojçeh Tiçinski dhe Henrik Markush. Biseduam për bashkëpunimin e Grupit të Vishegradit me Ballkanin Perëndimor, si dhe për sfidat në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së dhe hapat e ardhshme në periudhën që vijon, e që është e rëndësisë së veçantë që të ruhet kredibiliteti evropian në rajon”, ka shkruar në statusin e tij në Fejsbuk, ministri Osmani.

Katërsha e Vishegradit – Hungaria, Republika Çeke, Polonia dhe Sllovakia vlen për përkrahës të madh të procesit të zgjerimit të BE-së dhe angazhohet për hapjen sa më të shpejtë të bisedave aderuese të BE-së me Maqedoninë e Veriut.