“Foltorja” është zhvendosur këtë të mërkurë në Tropojë. Rikthimi i ish-kryeministrit, Sali Berisha ne vendlindje ka entuziazmuar shumë patriotë të tij demokratë, të cilët e kanë pritur me këngë dhe valle.

“Të dashur demokratë dhe demokratë të Malësisë së Gjakovës, banorë të kësaj malësie, ju përshëndes me mirënjohjen e pakufishme ndaj juve këtu dhe malësorëve të tjerë të kësaj treve kudo që janë. Përulem me nderimin më të madh për rolin dhe kontributin tuaj në Shqipërinë demokratike, por dhe në të gjitha kohërat për çështjen shqiptare. Duke ardhur për në Malsinë e Gjakovës më kishte pushtuar një ndjesi e veçantë. Në mendje më vinin fjalët e një filozofi gjerman që thotë se njeriu i lirë është fëmija i natyrës. Duke menduar këto fjalë të Niçes i thashë vetes se njeriu i lirë në vendlindjen e tij është dy herë fëmija i natyrës. Floriana Garo më pyeti si ishte udhëtimi për në Tropojë. Gjysmë qiellor gjysmë tokësor, iu përgjigja unë. Unë shpesh e shpesh vij me mendjen time më shpesh se kudo në botë, vij në vendlindjen time, por dhe më shpesh i përsëris vetes time çfarë fati pata unë, sa i bekuar isha unë që linda në Malësi të Gjakovës. Sot pas dekadash larg saj, pas dekadash në Tiranë e qindra e qindra shëtitjesh nëpër botë duhet tu them këtu se në vendlindjen time unë kreva universitetin më të rëndësishëm të jetës time, unë mora diplomën e diplomave të jetës time. Në fillimet e memories time në familjen time, si në qindra dhe mijëra familje të Malësisë së Gjakovës ekzistonin odat e burrave, nuk kishte radio, as televizor, por e gjithë jeta jonë kalonte nga shkolla te oda, nga oda te shkolla. E vërteta është se unë dhe bashkëmoshatarët e mi mëkoheshim me një dashuri të madhe për vendin dhe për Kosovën në ato oda”, u shpreh ish-lideri historik i PD para mbështetësve të tij.

Në këtë takim, ai shihet i shoqëruar nga deputeti Isuf Çelaj dhe ish-deputeti Besnik Dushaj.