Arrestohet një nga të kërkuarit për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi

Një nga personat e akuzuar për vrasjen e gazetarit Jamal Khashogi është arrestuar ditën e sotme në Francë. BBC raporton se në pranga ka rënë Khaled Aedh Alotaibi, i cili u kap në aeroportin Charles-de-Gaulle në tentativë për t’u larguar nga vendi.

Ai është një nga 26 sauditët e kërkuar nga autoritetet turke për vrasjen e gazetarit.

33-vjeçari, që ka punuar si roje në pallatin mbretëror në Arabinë Saudite, ishte duke udhëtuar me identitetin e tij dhe tashmë është vendosur në paraburgim.

Khashoggi, ishte një nga kritikët e qeverisë së Arabisë Saudite dhe u vra në konsullatën saudite në Stamboll në Tetor të vitit 2018.

Vrasja shkaktoi një bujë globale dhe dëmtoi imazhin e sundimtarit të Arabisë Saudite, Princit të Kurorës Mohammed bin Salman.

Pallati mbretëror u mbrojt duke thënë se vrasja ishte një gabim, por zyrtarët turq thanë se agjentët vepruan me urdhra nga nivelet më të larta të qeverisë saudite.