AlternAtivA: Kryetari Afrim Gashi u prit nga kryeministri shqiptar, Edi Rama

Derisa AlternAtivA i vazhdon bisedimet për përfshirje në shumicën parlamentare, sot kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, i shoqëruar nga nënkryetari Hysni Ismaili, ka qëndruar në Tiranë, me ftesë të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Në këtë takim është biseduar për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve si dhe për rëndësinë e madhe që ka hapja e negociatave për aderim në BE për Maqedoninë e Veriut, ngase nga kjo varet edhe fillimi i negociatave për Shqipërinë.

Kryeministri Rama e ka falënderuar kryetarin Gashi për vizitën dhe e ka inkurajuar për rolin konstruktiv që e luan Alternativa në këtë kohë në skenën politike të Maqedonisë së Veriut.

Nga ana tjetër, kryetari Gashi e ka falënderuar kryeministrin Rama për ftesën dhe takimin, duke premtuar se Alternativa do të vazhdojë të mbetet besnike ndaj idealeve madhore kombëtare për integrim të shqiptarëve në Bashkimin Europian.

“Nëse hapja e negociatave për Shqipërinë vetëm pak varet nga vendimi i Alternativës për t’u përfshirë në qeverinë aktuale të Maqedonisë së Veriut, kjo për shkak të ndërlidhjes mes këtyre dy shteteve në rrugën euro-integruese, kjo është gjëja më e paktë që mund ta bëjmë ne për Shqipërinë”, ka theksuar Afrim Gashi.