Studime të shumta vlerësojnë se këta fruta përmbajnë sasi të shumta vitaminash dhe mineralesh. Madje me konsumimin e një prej këtyre frutave në ditë, furnizohemi me sasinë e rekomanduar ditore të vitaminës A, C apo fibrave dhe mineraleve të domosdoshme, me të cilat trupi ynë ushqehet dhe mbron organizmin nga sëmundje dhe probleme shëndetësore që e rrezikojnë atë.

Shumë të pasur me vitamina dhe vlera ushqyese të paçmueshme, këta 10 fruta na ndihmojnë të jemi të fortë, energjikë dhe të lumtur. Ndaj dhe duhet t’i konsumoni patjetër, të paktën disa prej tyre një herë në ditë. Dietologët i listojnë këta 10 fruta sepse konsiderohen edhe si super ushqime, falë vlerave të larta ushqyese dhe vitaminave në to.

Qitro, burim i vitaminës C

Portokallet njihen për sasinë e shumtë të vitaminës C, por qitro mban rekordin për sasinë e lartë të kësaj vitamine. Studime të shumta vlerësojnë se mjafton gjysmë qitro dhe trupi ynë furnizohet me 50% të sasisë të rekomanduar si dozë ditore të vitaminës C. Ky frutë gjithashtu përmban një tjetër vitaminë shumë të rëndësishme, vitaminën A, po kështu fibra dhe minerale. Konsumimi i këtij fruti përveçse na ndihmon të furnizohemi me vitaminat A dhe C, gjithashtu ndihmon në lehtësimin e personave që vuajnë nga artriti dhe mbajtjen e lëkurës së shëndetshme.

Ananas, anti-inflamator

Edhe pse një frutë tropikal dhe me një farë kostoje të lartë, ananasi këshillohet të konsumohet pasi një enzimë e pranishme në të ndihmon në luftën kundër inflamacioneve të ndryshme. Po kështu me konsumimin e ananasit bëjmë të mundur luftën kundër infarktit, iktusit dhe rritjen e fertilitetit.

Shegë, burim antioksidantësh

Kokrrat e shegëve përmbajnë dy deri në tre herë më shumë antioksidantë se sa vera dhe çaji jeshil. Ky frutë gjithashtu është një burim i mirë i potasiumit, si dhe furnizuesi kryesor i cili kontribuon për mbajtjen nën kontroll të tensionit të gjakut, kolesterolit dhe përmirëson shëndetin e zemrës. Por kujdes! Konsumimi i shegës mund të jetë problematik sidomos në rast se jeni duke përdorur disa ilaçe të veçanta. Ndaj është më mirë që të konsultoheni me mjekun.

Mango për të mbrojtur sistemin imunitar

Betakaroteni i pranishëm te mangoja, të cilin trupi ynë e konverton në vitaminë A, ndihmon organizmin në mbrojtjen e shëndetit të kockave dhe sistemit imunitar. Madje mangoja po bëhet ndër frutat më të këshilluar nga dietologët sepse përmban nivel të lartë të vitaminës C; pasi përmban mbi 50% të sasisë të rekomanduar ditore të kësaj vitamine.

Mollë, burim i mirëqenies

Mollët janë të pasura me antioksidantë të fuqishëm dhe të përkryer kundër plakjes dhe ndihmojnë për të kapërcyer problemet e shëndetit apo për t’i parandaluar ato. Mollët janë gjithashtu një nga 10 ushqimet që ndihmojnë për të djegur dhjamin, hahet një mollë 15 minuta para ngrënies e do t’ju ndihmojë për t’u ngopur dhe ju do të hani më pak, kjo është një mënyrë shumë efektive për të ndihmuar që ju të humbni në peshë. Molla përmban pektinë, e cila është e njohur që ndihmon të ndiheni të plotë, dhe kjo ndjenjë ngopjeje do të zgjasë për një kohë të gjatë. Për mbrojtjen e kockave studiuesit francezë gjetën se një flavonoid i quajtur floridzin është gjetur vetëm te mollët dhe mund të mbrojë gratë në fazën post-menopauzë, osteoporozën dhe mund të rrisë densitetin e kockave.

Kivi për të marrë disa lloje vitaminash

Kivi është i pasur me vitamina të shumta, në veçanti të vitaminës C (më shumë se portokalli), kalium (më shumë se bananet dhe një sasi të mirë të betakarotenit. Studimet në Itali, të kryera te fëmijët e moshës 6-7 vjeç kanë demonstruar edhe veti të tjera shëndetësore të traktit respirator. Një seri studimesh të publikuara nga arkiva e okulistëve kanë provuar se konsumi i 3 ose më shumë frutave në ditë (duke përfshirë edhe kivi) mund të reduktojnë me 36% rrezikun e zhvillimit të një sëmundjeje të lidhura me sytë të quajtur ARMD (shkaku kryesor i dëmtimit të vizionit te të rriturit), në krahasim me njerëzit që konsumojnë vetëm 1 frutë në ditë.

Pjeshka, burim për t’u furnizuar me potasium

Të gjithë e dinë që bananet përmbajnë potasium, një mineral i jashtëzakonshëm që i vjen në ndihmë organizmit tonë për të mbrojtur shëndetin e trupit, por këtë mineral mund ta merrni shumë mirë duke konsumuar pjeshkët.

Rrushi për zemër të shëndetshme

Në saje të niveleve të larta të antioksidantëve të tillë si kuercetina dhe resveratroli, rrushi është në gjendje të shmangë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe të mbajë nën kontroll kolesterolin. Për të mos përmendur se çdo vesh rrush, (sidomos nëse është rrush i kuq) është gjithashtu një burim i shkëlqyer kaliumi dhe hekuri, të dyja thelbësore për të parandaluar dhimbje të muskujve dhe aneminë.

Banane, frutë i shëndetit

Nga pikëpamja e vlerave ushqimore, ky frutë është një burim i mirë i elementeve sikurse është potasium, magnez dhe vitamina B6. Përbërës që përdor organizmi ynë për të mbajtur trupin në formë. Nga ana tjetër jo të gjithë e dinë se banania është një frutë e pasur me antioksidantë të cilët ndihmojnë organizmin tonë nga veprimi i radikaleve të lira. Banania ndihmon në forcimin e sistemit nervor, ndihmon në humbjen në peshë dhe kontribuon në prodhimin e rruazave të bardha të gjakut falë kontributit të vitaminës B6. Mbi të gjitha ky frutë shton humorin e mirë. Një banane me madhësi rreth 126 gramë përmban 450 mg potasium, 30 gramë karbohidrate, 3 gramë fibra, 19 gramë sheqer dhe 1 gramë proteinë.

Boronicë, kundër plakjes

Frutë i vogël por i paçmueshëm për vlerat e shumta shëndetësore. Kështu boronica është një frutë shumë i mirë për kujtesë të fortë, kundër kancerit, madje është një antioksidant natyral. Boronica ndihmon në përmirësim të shikimit, pastrim të arterieve, ka më shumë antioksidues për mbrojtje ndaj sëmundjeve, forcim të enëve të gjakut, shtim të kujtesës, ndalim të infeksioneve të traktit urinar, kthim mbrapsht të rënieve të aftësive mendore dhe fizike të lidhura me moshën, ndikim në kontrollim të peshës trupore.