Zyrtare/ Steven Gerrard është trajneri i ri i Aston Villas

Aston Villa nuk humbi kohë dhe tashmë ka një trajner të ri. Steven Gerrard largohet nga Rangers, pas tre vjetësh dhe përgatitet të nisë aventurën e tij të parë në stolin e një skuadre në Premier League.

Legjenda e Liverpool-it është pasardhësi i Dean Smiith në pankinën e Aston Villa-s.

LEXO EDHE:Tërbohen në Paris, Lionel Messi është stërvitur dhe do të luajë kundër Uruguait

Zyrtarizimi ka ardhur nga një postim i Aston Villa në Twitter, me ish-mesfushorin që nuk e fshehu entuziazmin e tij në lidhje me nisjen e kësaj aventure.

“Aston Villa është një klub me histori dhe tradita, unë jam jashtëzakonisht krenar që do të jem trajneri i kësaj skuadre.

Nga bisedimet e kryera unë kuptova se sa ambiciozë janë pronarët dhe mezi pres të jap kontributin tim në realizimin e objektivave.

Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë njerëzit që lidhen me Rangers, të cilët më dhanë mundësinë të drejtoja një klub të tillë.

Ndihma që dhashë në fitimin e titullit të 55-të në histori do të mbetet gjithmonë në zemrën time si një moment i veçantë”, deklaroi Gerrard.

Aston Villa renditet në vend të 16-të në Premier League, me 10 pikë të grumbulluara në 11 javë kampionat, teksa Gerrard do të debutojë në takimin shtëpiak me Brighton (20 nëntor).