Kryeministri, Zoran Zaev sot sërish ka shkruar në Facbook në lidhje me propozim-buxhetin për vitin 2022. Ai mes tjerash shkruan se me propozim-buxhetin do të intensifikohet realizimi i projekteve infrastrukturore.


“Shkallë më të larta të rritjes ekonomike dhe cilësi më e mirë e jetës për qytetarët janë në fokus të kësaj Qeverie. Në këtë drejtim është dimensionuar edhe Propozim-buxheti për vitin 2022, bën të ditur në një shkrim në Facebook kryeministri Zoran Zaev.

Shpenzimet joproduktive, theksoi Zaevi, do të ulen, ndërsa do të merret hua vetëm për realizim të projekteve investuese në rajonet infrastrukturore që do të sjellin rritje ekonomike.

“E intensifikojmë realizimin e projekteve infrastrukturore, në infrastrukturën rrugore, hekurudhore, energjetike dhe komunale, si dhe investime kapitale për përmirësim të kushteve në sistemin shëndetësor, arsimor dhe social, bujqësi, kulturë, sport, mbrojtje të mjedisit jetësor dhe gjyqësor. Vazhdojmë edhe me mbështetjen në sektorin real, përmes programeve për KOVID, për çka janë ndarë 4,6 miliardë denarë”, shkruan Zaev në Facebook.