Zaev pret stabilizim të shumicës! A do t’i bashkohet Alternativa nëse Qeveria nuk rrëzohet?

Përderisa opozita po bën përpjekje për krijimin e një shumice të re parlamentare, Kryeministri Zoran Zaev thotë se “sinqerisht po pret që shumica aktuale do të stabilizohet”.

 “Mbrëmjen e 31 tetorit kur publikova dorëheqjet prej dy funksioneve thash se mbetem në këtë periudhë që të përkushtohem në mbajtjen e shumicës parlamentare, nëse mundet kjo shumicë parlamentare të zgjerohet. Ditët janë para nesh, gjithsesi këtë do ta marrim vesh të gjithë”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Opozitarja VMRO-DPMNE-ja sot përmes kumtese një e akuzoi Zaevin për presione ndaj deputetëve që janë nënshkruar në nismën për votim të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë. I pyetur nga TV21 nëse në vend të shumicës së re parlamentare, mund të pritet zgjerim i kësaj aktuales, deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshovski me përgjigje:

 “Kryeministri Zaev më së miri është të përgatitet për tranzicion të qetë të pushtetit dhe të gjejë mënyrë se si ta ruajë vendin e tij në LSDM. Në krye të shtetit, të Qeverisë, prej nesër e tutje nuk do të jetë Zoran Zaev”, pohoi Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.

Para zgjedhjeve lokale kryeministri Zoran Zaev, kur fliste për zgjerim të shumicës, thoshte se kanë komunikim të mirë me Alternativën. Por a ka gjasa partia e Afrim Gashit të bëhet pjesë e qeverisjes me BDI-në dhe LSDM? Ditë më parë, deputeti Skender Rexhepi në ClickPlus tha se nëse kjo Qeveri nuk rrëzohet, nuk e hedhin poshtë mundësinë që të bëhen pjesë e shumicës.

“Unë jam protagonist, bashkë me Alternativën që tash kjo qeveri të shkojë drejt të rrëzimit. Në momentin që nuk shkon Qeveria drejt rrëzimit, atëherë e shohim edhe opsionin tjetër që ne të japim mundësinë që të ndryshojmë në vendbanimet shqiptare duke qenë pjesë e qeverisjes, nëse jepet opsion i tillë”, theksoi Skender Rexhepi-Zejd, Alternativa.

Shumica aktuale është me 61 deputetë, nëse llogariten edhe 3 të Lëvizjes Besa. Por nga partia e Kasamit kanë paralajmëruar votë PRO mosbesimit të Qeverisë, andaj shumica aktualisht është me 59 deputetë. Nëse rrëzimi i qeverisë nuk ndodhë, por Besa mbetet jashtë shumicës, e në vend të saj hyn Alternativa me 4 deputetë, atëherë shumica do të kishte 63 deputetë.