Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se mbetet i vendosur që të largohet nga drejtimi i ekzekutivit dhe i partisë Lidhja Social Demokrate, pasi të sigurojë shumicën në Kuvend.


“Unë mbetet në atë që kam thënë. Do të largohem pasi të siguroj shumicën parlamentare dhe pasi të zgjedhin drejtuesin e ri të partisë”, ka deklaruar Zaev pas takimit me Afrim Gashin, kryetarin e partisë Alternativa që ka katër deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.Si kandidat i mundshëm për kryeministër të ri në mediat vendore përmendet emri i Dimitar Kovaçevskit, i cili ishte në takimin e kryeministrit Zaev me kryetarin e Alternativës.

Por, Zaevi nuk e konfirmoi nëse Kovaçevski, që aktualisht është zëvendësministër i Dinancave, do të jetë pasardhës i tij në krye të Qeverisë dhe të LSDM-së.

Zaevi e kishte paralajmëruar dorëheqjen më 31 tetor pas disfatës së LSDM-së në zgjedhjet lokale, por Qeveria mbeti edhe pa shumicë në Kuvend pas largimit nga koalicioni qeverisës të partisë lëvizja Besa.

Partitë në pushtet dhe opozitë në Kuvend kanë nga 60 deputetë nga 120 sa janë gjithsej në institucionin ligjvënës.

Opozita, më 11 nëntor kishte ngritur një mocion mosbesimit në Kuvend, por dështoi meqë një deputet i opozitës kaloi në radhët e pushtetit, duke barazuar numrat në Kuvend.