Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot i ka dërguar telegram ngushëllimi presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe kryeministrit Zoran Zaev, me rastin e aksidentit të rëndë në të cilin 46 persona kanë humbur jetën, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.


Presidenti Vuçiq personalisht dhe në emër të qytetarëve të Serbisë, u dërgoi ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave dhe njerëzve në Maqedoninë e Veriut, ndërsa të lënduarve u uroi shërim të shpejtë dhe të suksesshëm.

“Me mosbesim dhe pikëllim mora lajmin e tmerrshëm për vdekjen tragjike të pasagjerëve në një autobus në Bullgari. Nuk ka fjalë për të përshkruar dhimbjen që ndajmë me qytetarët e vendit tuaj. Në heshtje para kësaj tragjedie, ne u shprehim ngushëllime familjeve të viktimave dhe gjithë popullit tuaj vëllazëror. Serbia edhe tani është me ju, e gatshme për të ofruar të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme, sepse nuk jeni vetëm në këtë tragjedi”, thuhet në telegramin e ngushëllimit, kumtuan nga kabineti i tij.