Kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me krimin horror të ndodhur ditën e djeshme në Fier ku një djalë i mitur vetëm 8 vjeçar u vra nga një 38-vjeçar, fqinj me familjen e viktimës dhe e groposi në oborrin e tij.


Klodian Çalamani, 38 vjeçari tashmë i arrestuar, kishte rrëmbyer e më pas vrarë e groposur në oborrin e banesës së tij, fqinjin e tij vetëm 8 vjeç, Mateo Vllasiu.

Sipas autorit, arsyeja dyshohet se kishte ndodhur për shkak se i mituri kishte marrë biçikletën e autorit e pastaj e ofendoi.

Kryeministri Rama duke folur për këtë krim horror ka folur në lidhje me rikthimin e dënimit me vdekje në Shqipëri duke shtuar se kjo është e pamundur dhe nuk është shkop magjik për këto ngjarje.

Rama: Rikthimi i dënimit me vdekje nuk është as i mundur dhe nuk është as një shkop magjik për të parandaluar këto lloj ngjarjesh, se sic e the dhe sic e dimë, ndodhin në të gjitha shoqëritë. Në aspektin e kuadrit ligjor, Shqipëria si pasojë disa ndërhyrjeve në ligjeslacion, ka të shkruar legjislacionin më të ashpër, cështja është zbatimi i legjislacionit.

Si ndodhi ngjarja?

Ka qenë nëna e të miturit, Florida e cila në orën 15:30 të së martës ka bërë denoncimin në polici, pasi djali i saj ishte zhdukur dhe për të nuk kishte asnjë gjurmë. Pas denoncimit, efektivët e policisë kanë nisur hetimet dhe nga kamerat e sigurisë u zbulua se komunikimi i fundit i të miturit ka qenë me Çalamanin, fqinji i tij. Nisur nga kjo, efektivët i kanë shkuar në banesë, ku i riu është parë i shqetësuar, ç’ka ka ngritur dyshimet e Policisë, e për pasojë është shoqëruar në Komisariat. Gjatë marrjes në pyetje, ai është dorëzuar dhe ka pranuar krimin monstruoz, ku përveç se e kishte vrarë, edhe e kishte groposur në oborrin e shtëpisë. Efektivët janë rikthyer edhe një herë në banesën e të riut dhe aty kanë gjetur trupin e pajetë të 8-vjeçarit të mbuluar me baltë. I mituri është goditur barbarisht 2 herë me lopatë pas koke, goditje këto që kanë rezultuar fatale duke i marrë jetën 8-vjeçarit. Motivet e këtij krimi mbeten ende mister, se çfarë mund ta kenë shtyrë 38-vjeçarin të vrasë një fëmijë vetëm 8-vjeç.

Kush është Klodian Çalamani?

Klodian Çalamani në 2006 është autor i një tjetër pengmarrjeje. Ai së bashku me shokun e tij, Florian Vasiu, 25 vjeç, nga fshati Grecalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare. Shoku Florian Vasiu pëlqente vajzën, por ajo nuk i përgjigjej kësaj ndenje, pasi ishte e lidhur me dikë tjetër. Pikërisht i dashuri i saj ka ndaluar të rinjtë dhe i kanë thënë që të mos e bezdisnin më vajzën. Ky veprim i të dashurit të vajzës ka acaruar të Çalamanin dhe Vasiun, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit, më konkretisht gjoksin duke ia prerë me biçak. Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, Klodiani ka kërcënuar edhe motrën e tij, E. Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten. Aso kohe, dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal. Ai u lirua nga burgu i Rrogozhinës me datë 06.08.2009. /albeu.com/