Vjena përforcon masat kufizuese për të pavaksinuarit

Vjena ka vendosur t’u ndalojë aksesin në restorante dhe shërbime të tjera publike personave të pavaksinuar kundër COVID-19 ose të paimunizuar nga virusi, për të frenuar një valë të katërt të pandemisë që mund të bllokojë shërbimet e kujdesit intensiv, njoftoi sot kryebashkiaku i qytetit.

“Në fund të javës së ardhshme, ne do të zbatojmë në Vjenë një përforcim të masave kundër COVID-19, që do të rezultojë në një akses të rezervuar vetëm për të vaksinuarit ose të shëruarit në restorante dhe në bare”, tha Michael Ludëid në një konferencë për shtyp.

Kjo masë ka të bëjë gjithashtu me shërbimet që kërkojnë kontakt të ngushtë, si parukierët, masazhatorët ose trajtimet e bukurisë dhe për çdo takim që mbledh më shumë se 25 persona.

Për të siguruar respektimin e rregullit të ri janë planifikuar kontrolle, ndërkohë që 1 570 gjoba për shkelje të standardeve shëndetësore janë regjistruar tashmë që nga fillimi i pandemisë në kryeqytetin austriak.

Vjena synon, gjithashtu, të hapë fushatën e vaksinimit për fëmijët nga mosha 5 deri në 11 vjeç dhe do të nisë një fushatë informuese që synon të inkurajojë banorët tashmë të imunizuar që të marrin një dozë të tretë.