Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tashmë është në Bullgari për shkak të tragjedisë së tmerrshme në autostradën Struma.


Në intervistë për Bulgaria ON AIR, kryeministri tha se do të takohet me gjatë të mbijetuarit e tragjedisë.

Ai thotë se ka arritur të bisedojë me njërin nga personat e vendosur në spitalin “Pirogov”.

“Ai më tha se ka dëgjuar shpërthimn. Ai dhe gjashtë të mbijetuarit e tjerë i kanë thyer dritare e autobusit dhe kanë arritur të ikin dhe të shpëtojnë. Viktimat e tragjedisë janë njerëz të vegjël të moshës prej 25-30 vjeç, ka edhe fëmijë. Tragjedia është e madhe”, porositi Zaev.

Në këtë fazë nga autoritetet maqedonase nuk pritet hetim paralel. “Ju besojmë kolegëve tanë bullgarë. Nëse u duhet ndihmë, jemi të gatshëm të ndihmojmë në hetim. Tani më e rëndësishmja është të shohim t’u ndihmojmë të lënduarve”, tha Zaev.

Autobusi që u aksidentua në orët e hershme të mëngjesit në Bullgari, ku humbën jetën të paktën 45 persona, është i agjencisë “Besa Trans”, e cila organizon turne turistike dhe tregtare drejt Stambollit, raporton Alsat.

Sipas informacioneve të para me autobusin në fjalë udhëtonin kryesisht persona të moshës së re të cilët ktheheshin nga një ekskursion.

Kreu i shërbimit të kontrollit të fatkeqësive të vendit, Nikolay Nikolov, tha se “45 ose 46 njerëz vdiqën” në aksidentin, i cili ndodhi rreth orës 02:00 në një autostradë 40 kilometra në jug të kryeqytetit Sofje.

“Shtatë pasagjerë u shpëtuan” dhe u evakuuan në një spital në kryeqytet, tha Nikolov. Ata ishin dy gra dhe pesë burra. Raportohet se pesë fëmijë ishin midis atyre që humbën jetën në aksident.

“Të mbijetuarit janë të traumatizuar, kanë humbur të afërmit, fëmijët. Ata u hodhën nga dritaret”, tha Maya Arguirova, drejtuese e qendrës së trajtimit të djegieve ku u transportuan.

Autobusi, i cili ishte i regjistruar në Maqedoninë e Veriut dhe po udhëtonte nga Stambolli në Shkup, ka shpërthyer në flakë pasi është përplasur.

Ndërkohë që shkaku i aksidentit në këtë fazë nuk mund të përcaktohet.

“E vetmja gjë që është e qartë është se autobusi kishte targa maqedonase”, tha kryeministri bullgar në detyrë Stefan Janev, i cili vizitoi vendin e ngjarjes dhe refuzoi të jepte detaje për kombësinë e viktimave.

“Kjo është një tragjedi. Ne nuk e dimë nëse të gjitha viktimat janë nga Maqedonia e Veriut, por supozojmë se mund të jetë diçka e tillë sepse autobusi është i regjistruar në këtë vend”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Sakaq në rrjetet sociale janë publikuar momente nga autobusi në flakë në autostradën e Strumës, 50 km larg Sofjes.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, ku autobusi me 52 persona brenda ka marrë flakë.

Sipas autoriteteve pistat kryesore të hetimit janë dy, gabim njerëzor ose defekt teknik i automjetit.