Vetëm hetuesit bullgarë do të punojnë për të zbuluar shkakun e aksidentit. Kryeprokurori i Maqedonisë, Lubomir Joveski dhe shefja e krimit të organizuar, Villma Ruskovska, sot kanë qenë në vendin e tragjedisë dhe kanë njoftuar se me kolegët bullgarë do të bashkëpunojnë vetëm për dokumentet e “Besa Trans”.


“Po vijmë sërish te versionet kryesore, a është gabim njerëzor apo mosfunksionim teknik i autobusit? Ka qenë edhe shoferi i dytë, por nuk mund të themi nëse ka shpëtuar.

Mendojmë se të dy shoferët nuk kanë mbijetuar”, tha Borisllav Sarafov, Shërbimi hetimor kombëtar i Bullgarisë.

“Dua të siguroj kolegët e mi nga Maqedonia e Veriut se Prokuroria Publike e Bullgarisë do të bëjë çdo përpjekje për të kryer hetim të shpejtë, objektiv dhe efektiv për të përcaktuar arsyet e këtij incidenti të rëndë”, deklaroi Sijka Mileva, Prokuroria publike e Bullgarisë.

“Këtu është në vendngjarje, atje ku është autobusi, është edhe pronari i kompanisë së transportit. Fola shkurt me të. Ai tha se ka 20 vite, që është kompani transporti. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë incident, kjo sipas tij. Por, siç thanë tashmë kolegët, ne do ta sigurojmë dokumentacionin e plotë për të gjithë autobusët – kur janë të regjistruar, kur kanë qenë për kontroll teknik dhe do t’ua dërgojmë kolegëve këtu në Bullgari”, u shpreh Vilma Ruskovska, Prokuroria për krim të organizuar.

“Dokumentet për pronësinë e autobusit janë siguruar dhe do t’ua dorëzojmë kolegëve të Prokurorisë Publike Bullgare. “Por duhen studiuar shumë dokumente për të vërtetuar faktet”, theksoi Ljubomir Joveski, Kryeprokuror i Maqedonisë.