Çmimet e gazit janë rritur për tetë përqind më 17 nëntor, pasi Gjermania ka shtyrë miratimin e gazsjellësit kontrovers të Rusisë, Rjedha Veriore 2.


Më 16 nëntor, Gjermania ka bërë të ditur se ka pezulluar procesin e miratimit, sepse konsorciumi me bazë në Zvicër, i cili qëndron mbrapa projektit të gazsjellësit, duhet të krijojë një degë në Gjermani, në mënyrë që të fitojë licencën.

Ky vendim ka shuar shpresat se gazsjellësi do të mund të jetë funksional në muajt në vijim dhe që do të mund të lehtësojë krizën me energji në Evropë, të shkaktuar nga disa faktorë, përfshirë prodhimin më të vogël sesa është pritur.

Rritja e kërkesës, pas rihapjes së ekonomive, është po ashtu shkak për këtë rritje çmimesh.

Rusia është akuzuar për bllokim të furnizimeve shtesë të gazit natyror në Evropë – përmes gazjellësit ekzistues që kalon Ukrainën – në mënyrë që t’i bëjë presion Bashkimit Evropian për të miratuar më shpejt projektin, Rrjedha Veriore 2.