Perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, marrëdhëniet e mira fqinjësore, nismat rajonale dhe pritshmëritë për periudhën që vijon, në prag të Këshillave të dhjetorit, si mundësi për hap pozitiv në fazën e ardhshme në procesin tonë euro-integrues. Këto ishin temat e diskutimit mes ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmanit dhe Komisionerit të BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheji, në kuadër të vizitës së së Osmanit në Bruksel, bënë me dije nga kabineti i tij.


Gjatë takimit,siç transmetohet, Komisioneri, Varhei informoi për përpjekjet e Komisionit Evropian për ta ripërtrirë momentumin evropian në rajon, por edhe për zbatimin e Planit të Investimeve Ekonomike, i cili paraqet mbështetje të fortë të BE-së për forcimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, avancim të bashkëpunimit rajonal dhe përforcimin e lidhjeve me BE-në.

Ndërkaq theksojnë se është biseduar edhe për zhvillimet e fundit të brendshme politike në vend, por edhe për përpjekjet për tejkalimin e dallimeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Qeveria mbetet fuqishëm e përkushtuar në Agjendën e reformave dhe integrimit evropian, me impuls dhe proaktivitet shtesë në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si një vlerë e shtuar kyçe në zhvillimin e stabilitetit rajonal. Politika e zgjerimit është mjeti më i mirë për nxitjen e reformave komplekse dhe konsolidimit demokratik, ndërsa fuqia e saj transformuese bazohet në kushtëzimin dhe vlerësimin objektiv të rezultateve në procesin përmes të cilit pasqyrohen vlerat e Bashkimit Evropian”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.

Osmani takohet edhe me Andreas Schieder, kryesues i Komisionit të Përbashkët Parlamentar ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, me Ilhan Kuçuk, Raportuesin për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian si dhe me Këshilltarët për politikë të jashtme të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe të Presidentes së Komisionit Evropian, Von der Layen.