Virgil van Dijku i Liverpoolit ka kritikuar bashkëlojtarët e tij te Kombëtarja e Holandës për paraqitje të dobët në pjesën e dytë kundër Malit të Zi, në përballjen që u mbyll 2-2.


Holandezët kanë mundur të siguronin kualifikimin në Kupën e Botës me një fitore kundër Malit të Zi në Podgoricë.

Ata u dukën se do të arrinin pikët e plota me lehtësi pasi avancuan 2-0 falë dy shënimeve nga Memphis Depay.

Por kapitulluan në dhjetë minutat e fundit, me malazezët që shënuan dy herë për të barazuar rezultatin.

Dhe, pas ndeshjes, Van Dijk tha: ”Mënyra si luajtëm në pjesën e dytë është thjesht e papranueshme.

”Ne gjithmonë dëshirojmë të kemi topin, të gjithë duam të luajmë futboll, të sulmojmë dhe shënojmë. Por futbolli gjithashtu kërkon të dish të mbrohesh.

”Këtë nuk e bëm sonte. Organizimi jonë ishte thjesht i tmerrshëm. Është dashur të kualifikohemi këtu.

”Me gjithë respektin për Malin e Zi, është dashur të fitonim, sidomos pas dy golave epërsi.

”Tash do të luajmë kundër Norvegjisë të martën në stadium të zbrazët (për shkak të restriksioneve për Covid-19). Ne duhet të jemi shumë më të mirë se sonte.

Kjo pikë e mban Holandën në krye të Grupit G, por i ka dhënë Turqisë dhe Norvegjisë shpresë për të kaluar mbi ‘tulipanët’ me fitore të martën.