Presidenti i Republikës Ilir Meta i është përgjigur për herë të parë Lulzim Bashës, ku nuk i ka shmangur kunjat për kryetarin e Partisë Demokratike që e quajti atë pjesë të “trekëndëshit të Bermudës” bashkë me Ramën dhe Berishën.


Meta tha se Basha i iku katërkëndëshit të përgjegjësive duke renditur bojkotin e reformës administrative-territoriale, bojkotin e Reformës në Drejtësi, djegien e mandateve në Parlament dhe zerimin e opozitës nga pushteti lokal. Sipas Metës këto janë 4 përgjegjësi madhore që Lulzim Basha, nuk u ikën dot.

“Është e drejta e tij të bëjë lapsuse, edhe të ketë ndoshta ndonjë mendim të tij, se është i lirë. Unë nuk kam asnjë shqetësim.

Unë e kam respektuar gjithmonë dhe jam përpjekur ta ndihmoj që ai të mos gabojë rëndë.
Sa herë më ka kërkuar ndihmë ja kam dhënë, sa herë i ka rënë telefonit tim e ka pasur të hapur.

Por, më duhet të them që është koha që politikanët në Shqipëri të marrin përgjegjësi dhe jo t’i ikin atyre. Prandaj jemi në një situatë të tillë ku vihet në diskutim edhe legjitimiteti i partisë kryesore të opozitës, pas problemeve të mëdha të legjitimitetit të Parlamentit, të pushteti lokal, të Presidentit.

Pavarësisht të gjithë këtyre, unë jam i qetë edhe e di që gjithë shqiptarët e kanë shumë të qartë se në çfarë kushtesh kam punuar.

Por dikush përsëri thotë tani jo dhe bën sikur nuk i di të gjitha këto rrethanat.

Nuk është problemi i trekëndëshit që thotë zoti Basha. Ky është problemi i tij.

Problemi kryesor në këtë rast është katërkëndëshi i përgjegjësive madhore, të cilave ai nuk mund t’i ikë dhe nuk mund t’ua shkarkoj të tjerëve.

Në radhë të parë nuk mund t’ia shkarkoj Ilir Metës si President i Republikës, por edhe si një politikan aktiv me të cilin ai, ka pasur një marrëdhënie shumë të veçantë.

Dhe kush është ky katërkëndësh i përgjegjësive madhore i cili ka vetëm një rezultat kapjen totale të shtetit sot?

Së pari, bojkoti i reformës administrative-territoriale përpara zgjedhjeve vendore të 2015.

Ilir Meta ka qenë kryetar i Kuvendit, kryetar i LSI, por dhe në koalicion me Edi Ramën dhe pavarësisht nga dëshira e kryeministrit për ta përjashtuar opozitën nga ky proces, opozita për çudi kishte dëshirë që të vetëpërjashtohej me një këmbëngulje të paparë.

Ndërkohë unë, si Kryetar i Parlamentit në atë kohë kam këmbëngulur në mënyrë të jashtëzakonshme deri në fund për të përfshirë opozitën, sepse kisha dhe problemin e procesit të integrimit europian dhe kjo ishte një reformë e rëndësishme. Kjo reformë duhej bërë, sepse 400 e ca komuna nuk i mbante dot Shqipëria.

Opozita ka pasur të gjitha ofertat për të dhënë një plan të sajin dhe jo vetëm kaq, por demokratët të cilëve sot u serviret Ilir Meta si pjesë e këtij trekëndëshi.

Ilir Meta ka insistuar dhe ka çuar në Konventën që do të kishin demokratët për çështjen e pushtetit vendor, Bashkim Finon e ndjerë, i cili ishte kryetar i Komisionit të Reformës, bashkë me Petrit Vasilin.
Unë i kam ftuar dhe kam insistuar që na jepni ofertën tuaj.

U premtua që do të jepej dhe kjo gjë kurrë nuk u dha dhe unë nuk e di kujt i shërbeu ky bojkot, dhe se çfarë detyrimi ka Ilir Meta ndaj zotit Basha!

Së dyti, që në momentin që është hedhur ideja e djegies së mandateve kam thënë që kjo është një çmenduri, si do digjni mandatet.

E para, mandatet e kujt do digjni ju?

E dyta, kujtoni ju se do rri njeri pa gjumë në Bruksel apo kudo tjetër? Jo, do qeshin!

E treta, i dini ju listat?

Kam insistuar madje, se ka qenë në një situatë bojkoti opozita, tre muaj para kur nisi protesta e studentëve, që të kthehej në Parlament.

Kam kthyer buxhetin dhe ju kam thënë shkoni dhe mbështesni studentët për kërkesat e tyre me një buxhet të rishikuar.

Unë nuk e di se çfarë i ka thënë Sali Berisha apo dikush tjetër, nuk dua të ndërhyj në këtë çështje, atë le ta zgjidhin vetë.

Ilir Meta i ka thënë Lulzim Bashës, zotit Berisha, por edhe çdo deputeti demokrat t’i lenë mandatet?!

Unë u kam thënë që kjo është një çmenduri dhe e dimë se ku përfundoi.

Për çështjen e pushtetit lokal e njëjta gjë dhe po kështu bojkoti i reformës në drejtësi ishte me pasoja katastrofike në kapjen e shtetit.

Sa herë i ka thënë Ilir Meta atij (Lulzim Bashës) por dhe LSI-së, bëni një platformë për Reformën në

Drejtësi bazuar me votat e ndryshimit të Kushtetutës me 140 vota?

Pra këto janë katër kënde se nuk dua ta bëj katërmbëdhjetë kënde sot.

Bojkoti i reformës administrative-territoriale, bojkoti i Reformës në Drejtësi, djegia e mandateve në

Parlament dhe zerimi i opozitës nga pushteti lokal, janë 4 përgjegjësi madhore që Lulzim Basha, nuk u ikën dot.

Mund ta ketë përgjegjësinë dikush tjetër, por ai ka qenë kryetar i Partisë Demokratike dhe unë kam pasur për detyrë të flas me të, dhe ka qenë detyrë e tij të marri përgjegjësit në atë moment, dhe t’i tregojë vendin cilido në kohën e duhur, që mund të ishte një nxitës negativ” – tha Meta.