Kreu i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefanovski sot ka vizituar familjen e Idaver Osmanit nga Hasanbegu, i cili në aksidentin tragjik në autostradën “Struma” në Bullgari ka humbur bashkëshorten dhe vajzën, përcjell TV21. Stefanovski përmes një publikimi në Facebook ka shkruar se Komuna është e gatshme për të ndihmuar familjen Osmani në të ardhmen.

“Sot pasdite vizitova shtëpinë e familjes Osmani nga Hasanbegu, që humbi dy anëtarë në aksidentin tragjik në Republikën e Bullgarisë. Si kryetar i komunës së Gazi Babës, por mbi të gjitha si person kam dashur që personalisht të vizitoj familjen dhe të shpreh ngushëllime për tragjedinë. Nuk ka fjalë që mund ta ngushëllojnë z.Idaver Osmanin, i cili humbi gruan dhe vajzën 23-vjeçare në këtë aksident. Në një bisedë me të i kam premtuar se Komuna e Gazi Babës është e hapur dhe e gatshme për të ndihmuar familjen Osmani në të ardhmen”, shkruan Stefanovski.