Spitali i Strugës do të pranojë edhe fëmijët nga Ohri

Për shkak të mungesës së mjekëve pediatër në Ohër, fëmijët nga Ohri pas orës 20 do të kërkojnë ndihmë mjekësore në spitalin e Strugës, ku ka 6 specialistë pediatër. Mjekët thonë se do të bëjnë gjithçka që fëmijët nga rajoni i Ohrit të marrin kujdesin në kohë.

Reparti i pediatrisë i spitalit të Strugës ka 18 shtretër, shpresojnë se do të mjaftojnë për përkujdesjen e fëmijëve nga të dy qytetet.

“Ne kemi kapacitet që ta mbulojmë atë mungesë të pediatërve të Ohrit. Ne jemi gjashtë mjekë që mbështesim pediatrinë dhe neonatologjinë. Këtu do të shtohen edhe urgjencat, dera jonë është e hapur 24 orë për çdo rast.”,- tha pediatri, Vullnet Bekteshi.

Në të gjithë vendin ka mungesë të mjekëve pediatër. Mjekët më të vjetër thonë se dhjetë vite më parë duhej gjetur një mënyrë për të motivuar mjekët që të specializoheshin në këtë degë. Të rinjtë shmangin pediatrinë.

“Ndoshta është jo tërheqëse, dega e vështirë mjekësore do të thotë disi nuk është tërheqëse për të rinjtë. Mendoj se është një nga specializimet më të vështira. Nuk po flas për të mësuar, po për atë se sa punë duhet për të ekzaminuar një fëmijë. Duhet përvojë, sy, njohuri sepse fëmija nuk di të thotë se cilat janë problemet që ka.”,- theksoi pediatrja e specializuar, Nada Koloska.

Mungesa e mjekëve pediatër mbylli repartin e fëmijëve në spitalin e Ohrit, i cili punon vetëm si ambulancë nga ora 08:00 deri në 20:00, sepse janë vetëm dy mjekë.

Struga ka më së shumti pediatër në të gjithë rajonin. Mjekët thonë se do të jetë e vështirë, sidomos në disa pike sezonale, kur në Strugë ndodh që të bëhen 150 kontrolle në ditë dhe me fëmijët nga Ohri numri do të dyfishohet.