Si lexohen rezultatet zgjedhore dhe çka do të sjellin ato 

Partitë politike tashmë e kanë të qartë se nuk kanë më vota të garantuara. S’ka më as votues besnik. Trupi votues në Maqedoninë e Veriut fillon t’i ngjajë atij evropian.

 

AUTOR: XHELAL NEZIRI

 

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut si duket po fusin vendin edhe në një krizë të re politike. Disfata e LSDM-së dhe fitorja e VMRO-DPMNE-së shkaktuan  dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev nga pozita e kryetarit të partisë dhe të kryeministrit. Ky hap i zaevit, i paralajmëruar ndërmjet dy raundeve zgjedhore, duket se do të krijojë një vakum institucional dhe politik,  i cili do ta ngadalësojë edhe më shumë.

Por, duket se Zaev nuk kishte rrugëdalje tjetër. Partia e tij kishte shënuar një rënie prej 200 mijë votash në krahasim me zgjedhjet lokale të 2017-ës. Nga 57 komuna që kishte deri tash, LSDM fitoi vetëm 16. Humbi plot 41 komuna, aq sa fitoi gjithsej VMRO-DPMNE. Një humbje spektakolare që kërkonte përgjegjësi. LSDM humbi edhe Qytetin e Shkupit, ku fitoi kandidatja e pavarur Danela Arsovska. Ajo, megjithatë, u përkrah nga VMRO-DPMNE dhe ka qenë kuadër i kësaj partie.

 

KATËR SKENARË

 

Katër skenarë mund të ndodhin pas dorëheqjes së Zaevit nga posti i kryeministrit: i pari është një qeveri e njëjtë, por me një kryeministër të ri; i dyti nënkupton formimin e një shumice të re që do të prodhonte një qeveri të drejtuar nga VMRO-DPMNE; i treti – një qeveri të koalicionit të madh; dhe i katërti shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Në nenin 93 të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut e rregullon situatën e krijuar, që thotë se “Dorëheqja e Kryeministrit, vdekja e tij ose pamundësia e përhershme për të kryer detyrën sjell dorëheqjen e Qeverisë.” Pra, me dorëheqjen e Zaevit bie e tërë qeveria. Më tutje, ky nen saktëson se “Mandati i Qeverisë përfundon me shpërndarjen e Kuvendit. Qeveria që mori votëbesimin, e cila paraqet dorëheqje apo të cilës i është ndërprerë mandati për shkak të shpërndarjes së Kuvendit, mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”.

Ndërkaq, Rregullorja e Parlamentit garanton të drejtën e kryeministrit për të parashtruar dorëheqjen para deputetëve, duke e paraqitur të njëjtën te kryeparlamentari.  Ky i fundit obligohet t’ua dorëzojë menjëherë deputetëve dhe kryetarit të shtetit, dhe të njëjtën ta vë në rend ditë menjëherë në seancën e radhës të Parlamentit. Aty rregullorja parasheh që e njëjta vetëm të konstatohet, pra pa debat, kurse kryetari i shtetit obligohet më pas të japë mandatin për formimin e qeverisë së re atij që ka siguruar një shumicë prej së paku 61 deputetësh. Sipas praktikës së deritashme, mandati u është dhënë përfaqësuesve të partive fituese, me një afat prej 20 ditësh ta formojë shumicën dhe kabinetin qeverisës. Në këtë rast, në bazë të rezultateve nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, parti fituese është LSDM. Në rast të pamundësisë të  arrijë te shumica parlamentare, atëherë mandati i kalon partisë së dytë – VMRO-DPMNE-së.

 

PARTITË SHQIPTARE

 

BDI e Ali Ahmetit, ASH e Ziadin Selës, BESA e Bilall Kasamit, Alternativa e Afrim Gashit dhe PDSH e Menduh Thaçit bashkërisht numërojnë 36 nga gjithsej 120 deputetë sa ka Parlamenti i Maqedonisë së Veriut. Në një situatë të baraspeshës së fuqisë politike midis LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, këto parti do ta kenë fjalën e fundit lidhur me atë se si do të duket qeveria e ardhshme. Në zgjedhjet lokale BDI si parti mori më shumë vota (105) mijë dhe numër më të madh të komunave (10) në krahasim me partitë tjera shqiptare. Kjo parti, në fakt, arriti të ruaj sasinë e njëjtë të votave dhe të komunave, por humbi Tetovën si komunë më e rëndësishme te shqiptarët etnik. ASH-ja dhe Alternativa në opozitë, ndërkaq, si koalicion fituan 55 mijë vota, që ishte rënie prej afër 30 mijë votash në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar. Por, ASH arriti të ruaj komunën e Gostivarit dhe numrin e komunave që kishte deri më tani. Edhe pse humbi Bogovinën, kjo parti është në rrugë për të fituar Dibrën. BESA duket se është fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve. Nga një parti në buzë të vdekjes politike në 2020 arriti të fitojë dy komuna, ku bën pjesë Tetova si kryekomunë e shqiptarëve në vend.

POROSITË E ELEKTORATIT

 

LSDM në raundin e parë mori karton të verdhë, kurse në të dytin e fitoi të kuqin. Një porosi e qartë e votuesit të LSDM-së se është i pakënaqur me qeverisjen e saj si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal.

BDI fitoi si parti, por humbi Tetovën si kryekomunë e shqiptarëve. Kjo mund të lexohet si mesazh i qartë i përkrahësve të saj se janë të kënaqur nga performimi në qeveri, por nuk kalojnë më kandidatë të harxhuar dhe të imponuar nga lartë.

ASH/AA mori një goditje të fortë si koalicion, duke pësuar një rënie prej gati 30 mijë votash për një vit. Ky rezultat ishte si pasojë e përzgjedhjes jo të mirë të kandidatëve por edhe të imponimit të tyre nga ana e kryetarit. Rezultatet në Tetovë dhe Bogovinë padyshim se e mbajnë këtë porosi.

BESA, ndërkaq, fitoi Zhelinën me të cilën menaxhoideri më tash, por senzacion ishte fitorja e Tetovës. Vota për BESËn në Tetovë mund të kuptohet si një pilot-projekt i dhënë nga votuesi tetovar për të testuar përkushtimin apo vizionin e kësaj partie. Është kjo thikë me dy tehe për BESËn, e cila nëse dështon të përmbushë pritshmëritë e tetovarëve përfundimisht do të shkojë në histori që në zgjedhjet e radhës.

Partitë politike tashmë e kanë të qartë se nuk kanë më vota të garantuara. S’ka më as votues besnik. Trupi votues në Maqedoninë e Veriut fillon t’i ngjajë atij evropian. Është i ndryshueshëm, pranon argumente dhe reflekton. Nuk udhëhiqet nga emocionet, por nga arsyeja. Nuk pranojnë më imponime nga lartë, por kërkon kandidat që realisht do ta përfaqësojë. Një epokë e re kjo e pjesëmarrjes në proceset demokratike që do të imponojë ndryshime edhe në funksionimin e partive politike, si entitete kyçe të sistemit politik.