18 mijë qytetarë të Shqipërisë e kanë marrë dozën e tretë të vaksinës anti-COVID vetëm në 11 ditët e para të muajit nëntor.


Kështu bën të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të kontaktojnë me mjekun e familjes për t’u vaksinuar për një garanci për të qenë më të mbrojtur dhe për ta përballuar më mirë dimrin që është në prag.

“Më shumë se 18 000 qytetarë e kanë marrë dozën e tretë të vaksinës në këto ditë të para të nëntorit, si një garanci më shumë për të qenë të mbrojtur e për ta përballuar më mirë dimrin që është në prag. Kontakto mjekun e familjes”, ka shkruar Manastirliu.

Aplikimi i dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 në Shqipëri ka filluar në fillim të këtij muaji, ndërsa të parët që nisën ta marrin ishin personat mbi moshën 60 vjeç.