MERXHAN JAKUPI
Me ardhjen e gjeneratave të para të shqiptarëve mes viteve 1970-1980 në shtetet e Evropës
Perëndimore, ashtu siç ishin, si shoqëri patriarkale, rurale e tradicionale, kanë pasur mjaft vështirësi në
procesin e integrimit të tyre në një shoqëri moderne, liberale dhe urbane, me një fjalë, në një mjedis të
qytetërimit perëndimor. Duke qenë shumë të lidhur me origjinën, vendlindjen, ajo gjeneratë që tashmë
ka hyrë në moshë të shtyrë, shumica në pension, kur kthehen në vendlindje, s'gjejnë më miq e shokë.
Ata mbeten të frustruar e të zhgënjyer dhe pas disa javësh kthehen në Perëndim, duke jetuar në një
boshllëk ndjenjash të izolimit.
* * *
Sipas sociologëve dhe psikologëve, njerëzit e çdo moshe, gradualisht po i humbin miqtë e vjetër dhe
bëjnë miq të rinj, por për t'i gjetur ata doemos duhet të jenë të shoqërueshëm, të hapur, optimistë,
gazmorë e kozmopolitë. Njerëzit të cilët janë miqësor, kanë dhe krijojnë shoqëri të reja, shumë miq, ata
janë të lumtur, më të suksesshëm në jetë, e duan atë me të gjitha nuancat, dhe me këtë kanë një qasje
më humane ndaj njerëzve të tjerë, njëherësh lirohen nga egoja dhe adrenalina. Këta janë më tolerantë
në jetë, më të hapur, pranojnë vërejtje dhe kritika, zbulojnë të metat dhe gabimet e veta dhe, kësisoj,
më lehtë integrohen në marrëdhëniet me komunitetet dhe ndërtojnë karrierën e tyre.
Në anën tjetër, njerëzit që nuk kanë miq, sipas psikologëve e sociologëve, janë kontradiktorë, asocialë,
të izoluar dhe u takojnë grupeve neurotike, histerike, ksenofobike e egocentrike, kanë paragjykime dhe
s'pranojnë kurrë fajësinë dhe kritikën mbi vete. S'janë të dashur në shoqëri, s'janë tolerantë dhe janë të
pasuksesshëm në jetë e në punë. Madje, disa më ekstremë prej tyre, nuk e duan jetën dhe pretendojnë
vetëvrasjen.
Sigurisht se është vështirë për të gjetur miq dhe shokë të vërtetë. Është një frazë e njohur gjermane:
"Armiku që t'i zbulon gabimet, është më mik se miku që t'i fsheh ato!", ndërsa një e thënë e urtë turke
thotë: "Nëse do të kesh një shok e mik, duhet mbyllur njërin sy!", madje, për ta mbajtur më gjatë kohë,
duhet ta pranosh ashtu si është. Në këtë rrafsh, shkrimtari persian, Sadija, në veprën e tij "Gjylistani"
shkruan: "I mërzitur nga miqtë e mi në Damask, ktheva drejt shkretëtirave nga Jerusalemi, për të
kërkuar shoqërinë me kafirat". Ndërkaq, filozofi gjerman, Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche) thotë: "Më i
kënaqur jam kur dal në shëtitje me qenin tim se sa të jem në mesin e turmës". Po ashtu tërheq
vëmendjen një e thënë e tij: "Duke qenë me turmën, më erdhi sikur jam në mesin e bishave", për të
shtuar: "Thashë disa fjalë, as nuk i morën e as nuk i mbollën, m'u duk si një tokë e keqe, me bar të egër".
SHOQËRITË QYTETWRUESE DHE INTERKULTURORE
Duke mos e njohur kulturën dhe qytetërimin Perëndimor, tek disa miq në Zvicër shpesh është dëgjuar se
zviceranët janë një popull i ftohtë, ndonëse shoqëritë perëndimore i njohim si liberale, të qytetëruara e
të pavarura. Por, nuk është e vërtetë se perëndimorët s'janë gjithaq miqësorë dhe të pa integruar në
shoqëri. Ata janë kozmopolitë e inter-kulturorë, por individualizmi i ka bërë që të mos jetojnë në

kolektiv. Shumica e tyre, pas obligimeve të punës, merren me lexim, sport dhe hobe të tjera. Një familje
perëndimore gjithë jetën ndërron vendbanimet dhe integrohet shumë shpejt. Shoqëritë perëndimore
janë kozmopolite. Ata shkojnë nëpër pushime dhe ekspedita të ndryshme nëpër kontinentet e tjera,
duke eksploruar dhe zbuluar qytetërime të tjera. Sa më shumë që të njohë kultura të tjera, bëhet më
human dhe më mirë e njeh veten. Njeriu sa më provincial të jetë, më rural, ai jeton në një shoqëri të
mbyllur, mbetet inferior, bëhet më i brishtë, duke mbetur me imagjinatën e tij se feja, kombi dhe kultura
të cilën e përfaqëson është më e mira.
* * *
Pas daljes në pension, një pjesë e qytetarëve perëndimorë zviceranë shkojnë në vende tropikale e
mesdhetare, duke e kaluar jetën e mbetur në moshë të thyer. Një koleg imi i punës, pas daljes në
pension, ma tregoi vilën që e kishte blerë në Bullgari, në qytetin bregdetar Burgas dhe, kur u kthye, ai e
fliste rrjedhshëm gjuhën bullgare, e cila është e ngjashme me maqedonishten. Atje kishte krijuar miqësi
të reja dhe ishte integruar në shoqërinë bullgare. Ndërsa disa të tjerë, pas daljes në pension kishin
shkuar në Turqi apo Tajlandë.
Gjërat lëvizin nga status quoja. Shumë njerëz, pas pensionimit, shkojnë në kurse speciale. Njëri prej tyre
që e kishte frekuentuar një kurs të tillë, tha se e kishte pyetur tutori se me çka do të merrej pas
përfundimit të karrierës së punës. Ai kishte thënë se do të jetë praktikues i denjë i riteve në faltore,
xhami, dhe do të përkushtohej meditimeve. Pedagogu i kishte thënë se meditimet dhe ritet fetare kanë
një rezonancë shumë të dobishme, kanë një kohezion social, aty ku grupet e adhurojnë Zotin dhe ata
fisnikërojnë shpirtin.
PËRPLASJE QYTETËRIMESH
Në rivierën turke, para disa vitesh, arrita të identifikoj divergjencat kulturore mes perëndimorëve dhe
rusëve. Në hotel ishin më së shumti gjermanë, rusë dhe ballkanas, nga ish-republikat jugosllave.
Shumica e gjermanëve tregonin kulturë perëndimore gjatë rrezitjes në plazh dhe notit në det. Ata e
kalonin ditën duke lexuar dhe duke shkuar në ekspedita, ndërsa rusët dhe ballkanasit e padisiplinuar,
nuk tregonin kulturë në të ushqyerit e në të biseduarit, bërtitnin mes njëri-tjetrit dhe ndaj fëmijëve, që
irritonin të pranishmit përreth në plazh ose gjetiu. Një çift i pakënaqur gjerman kërkonte që të
transferohej në ndonjë hotel, ku nuk do të kishte rusë. Çifti mendonte se edhe ballkanasit janë rusë.
Vërehej një përplasje kulturash në skenë të hapur. Në një bisedë me një serb që kishte qenë ministër i
arsimit, i rrëfeva se ç'më kishte thënë çifti gjerman. Zotëria me një buzëqeshje konfirmoi atë që e thash
dhe theksoi se edhe ai kishte vërejtur madje divergjencat kulturore mes rusëve, ballkanasve dhe
gjermanëve. Ballkanasit dhe rusët kishin treguar një kulturë bizantine dhe islame.
Një shembull tjetër. Shumica e refugjatëve nga Lindja e Mesme nuk shkonin tek vëllezërit e tyre nga
gjaku dhe feja, por shkonin drejt Evropës, kryesisht në Gjermani, Zvicër dhe Austri. Në pjesën lindore të
Zvicrës, në qytetin Will, në një objekt që shërbente faltoreje, të cilin e kishte hapur komuniteti shqiptar,
pas fluksit të refugjatëve, ky mesxhid u shndërrua në multi-kulti. Pos kësaj faltoreje, komuniteti shqiptar
në këtë qytet kishte ndërtuar para do vitesh edhe xhaminë e parë në Zvicër. Imami i moderuar shqiptar,
Magbull Idrizi, një predikues brilant në gjuhën gjermane, tregonte se në këtë objekt që shërbente si

xhami, vinin besimtarë të mbi njëzet komuniteteve nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia. Pos ritualeve
fetare, këta popuj me divergjenca të mëdha kulturore, ishin integruar në një devotshmëri të pasurisë
inter-kulturore, ku njiheshin njëri me tjetrin. Të gjithë ata janë falënderues që pikërisht kjo xhami i ka
bashkuar, ka krijuar një bashkësi, miqësi e solidaritet, ku kanë pasur rastin ta njohin edhe komunitetin
shqiptar. Këta refugjatë të traumatizuar e të përvuajtur nga lufta dhe regjimet totalitare despotike,
thoshin me plot gojë se kishin ardhur nga ferri në parajsë. Një intelektual palestinez u shpreh me gjithë
zemër: "Zoti e bekoftë popullin gjerman dhe atë shqiptar!", sepse kishte arritur të bëjë shumë miq
zviceranë dhe shqiptarë.