Në Shqipëri u rishfaqën sërish këto ditë nostalgjikët e diktaturës komuniste, duke marrë shkas nga ngjarje, që lidhen me Luftën e Dytë Botërore.

Disa dhjetëra të moshuar u shfaqën me fotot e diktatorit Enver Hoxha, ndërsa një deputet socialist, anëtar i komisionit të sigurisë, u dërgoi kolegëve ligjvënës mesazhin se “Enver Hoxha ishte shqiponja mbi flamurin kombëtar”.

Akti i tij ngjalli reagime të shumta dhe u dënua nga shoqata të përndjekurve politikë nga regjimi komunist.

Sapo vjen nëntori bëhen gjithmonë të dukshme shfaqjet propagandistike të nostalgjikëve të diktaturës komuniste në Shqipëri.

Grupe të moshuarish dalin me foton e diktatorit Enver Hoxha dhe me yllin komunist nëpër tabela të stilit të vjetër.

Sivjet këto lloj nostalgjish i bëri të dukshme edhe një deputet i Partisë Socialiste nga Lushnja, Bujar Çela, anëtar i komisionit parlamentar të sigurisë.

Ai u dërgoi një mesazh kolegëve ligjvënës të komisionit se “Enver Hoxha ishte shqiponja mbi flamurin kombëtar”, edhe pse ai njihet botërisht si një nga diktatorët më të egër e gjakatar të Europës lindore ish komuniste.

Ngjarja provokoi reagime të forta nga pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare, që vuajti, u burgos dhe u përndoq nga diktatura komuniste për bindje politike.

“Është e pafalshme që 30 vite pas rënies së diktaturës komuniste të glorifikohet figura e Enver Hoxhës në këtë mënyrë. Ky është një rast i paprecedent në të gjithë Lindjen. Në thelb, nuk do të kishim nevojë as për ligje de-komunistizimi në një vend si Shqipëria me gjithë atë përndjekje të rëndë që ka patur në 45 vite. Vet shoqëria shqiptare duhej të ngrihej dhe të protestonte ndaj çdo forme glorifikimi dhe mbrojtje të së shkuarës në këtë vend” – thotë Jonila Godole, drejtuese e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë.

Kjo nuk është hera e parë që politikanë të niveleve të larta shfaqen me publikisht me simbole te diktaturës komuniste, thotë Nebil Çika, drejtues i shoqatws antikomuniste tw të përndjekurve politikë.

Ai thotë se mesazhet e deputetit soçialist të Lushnjes janë një provokim i rëndë për shoqërinë shqiptare si dhe për familjet e viktimave të komunizmit. Sipas tij, ëhstë për tu shqetësuar edhe fakti që një nostalgjik i tillë soçialist është anëtar i komisionit parlamentar të sigurisë, ku përgatiten ligje me rëndësi të madhe kombëtare, ku edhe shfaq tendençat komuniste.

“Shqipëria është rast unikal në Europën Lindore që nuk ka marrë asnjë masë për de-komunistizimin e shoqërisë, në mënyrë të veçantë për lustracionin e politikës dhe të institucioneve shtetërore, të cilat shfaqin herë pas here ndjenjat apo bindjet e tyre komuniste dhe bëhen shumë të rrezikshme përderisa kanë në duar ligjet dhe projekt-ligjet” – thotë zoti Çika.

Kryetari i grupit parlamentar soçialist Taulant Balla deklaroi se çështja mund të diskutohet në komisionin e etikës dhe se ndoshta dikush tjetër e ka përdorur telefonin e deputetit Çela, por sipas opozitës ky incident i rëndë dhe i qëllimshëm është i pajustifikueshëm dhe se Partia Demokratike do të sjellë në parlament një paketë ligjesh për de-koministizimin e shoqërisë. Sipas nënkryetarit demokrat Enkelejd Alibeaj, rasti me deputetin socialist nuk është një akt i izoluar, por “tregon dhe shtron për diskutim para shoqërisë shqiptare në fakt edhe nevojën për t’u distancuar nga diktatura enveriste, nga pasojat që ka lënë në shoqërinë shqiptare dhe sigurisht nga ndikimi në të ardhmen. Evokimi i figurës së diktatorit Enver Hoxhës në një datë të shënuar nga një ligjvënës nuk është thjesht shkelja e kodit të sjelljes së parlamentarëve gjatë punimeve të parlamentit, por diçka më tepër, nevojën për të bërë një orë e më parë nevojën imediate, ulëritëse, urgjente për të bërë dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare”.

Dhe pikërisht për këtë qëllim, deptetët demokratë synojnë të porpozojnë një paketë të posaçme ligjore “e cila do të fokusojë më së pari pikërisht dekomunistizimin. Pajisjen dhe pasurimin e kurrikulave në shkolla, shpërblimin e të dënuarve, e të përndjekurve, ndëshkimin dhe distancimin nga trashëgimia e së djeshmes. Sigurisht që janë këto synimet tona kryesore të kësaj pakete ligjore. E mbi të gjitha edhe për ndëshkimin në aspektin politik dhe moral”, shpjegoi zoti Alibeaj.

Ndërsa drejtuesja e Institutit për Demokraçi, Media dhe Kulturë, Jonila Godole, shprehet me shqetësim për faktin se Shqipëria ka bërë shumë pak në 30 vite për t’u distancuar nga diktatura.

“Provokime të tilla kanë ndodhur në të shkuarën dhe do të vazhdojnë që të ndodhin edhe në të ardhmen për sa kohë mbizotëron një frymë e përgjithshme që zvendëson luftën e klasave të dikurshme, një frymë që thellon ndasitë në shoqërinë shqiptare, të cilën e kemi parë se ku përfundoi atëherë me atë vëllavrasje për 45 vite, që vuajti shoqëria shqiptare” – thotë zonja Godole.

Përfaqësues të ish të përndjekurve politikë pohojnë se është absurde të presësh që në parlament të bëhen ligje demokratike nga deputetë të tillë, që kanë mendësi komuniste, dhe duhet parë rruga se si këta individë arrijnë të hyjnë deri në instituçionin më të lartë ligjvënës të shtetit.

Zoti Çika thotë ndëkaq se këto janë pasoja të politikës 30-vjeçare në Shqipëri, mosndëshkimit të krimeve të komunizmit, mosndalimit me ligj të propagandës komuniste, siç u bë me nazizmin në vende të tjera ish komuniste si në Poloni dhe Hungari.

“Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë që të dënohen krimet e komunizmit dhe regjimi diktatorial në mënyrë që ato të mos përsëriten. Rasti në fjalë, pra, kur një deputet del e bën propagandë komuniste është ai rrezik që ne kemi paralajmëruar. Prandaj ngjarje të tilla janë shujmë të rrrezikshme, dhe shoqëria shqiptare, media, politika dhe partnerët tanë ndërkombëtarë duhet të reagojnë me forcë” – thotë zoti Çika.

Sociologët pohojnë se në përgjithësi nostalgjitë e njerëzve lidhen me vështirësitë që ata ndeshin në aktualitetin e jetës së përditshme, por nostalgjitë për diktaturat janë të pashpjegueshme veçse me ndjenjat hakmarrjes dhe mos-pendesës.

Fundi i Luftës së Dytë Botërore shënoi për Shqipërinë fillimin e një diktature të egër që asgjësoi fizikisht të gjithë kundërshtarët politikë, një shtetit monopartiak, që mbyti me plumba dhe burgje çdo zë të lirë dhe të ndryshëm.