Reali heq dorë nga Paul Pogba, klubi spanjoll po punon për rinovimin e kontratës me këtë futbollist

I lirë nga çdo kontratë verën e ardhshme, një kalim i mundshëm Paul Pogba në Madrid duket se po shuhet dalëngadalë.


Sipas informacioneve të “Marcas”, drejtuesit e klubit të Realit nuk kanë ndërmend të afrojnë mesfushorin e Manchester United gjatë merkatos së verës së ardhshme. Edhe pse ata i vlerësojnë cilësitë e tij në fushë, e përditshmja spanjolle na informon se klubi nga kryeqyteti spanjoll ka ndërruar mendje dhe dëshiron të rinovojë me një prej titullarëve.

Bëhet fjalë për mesfushorin kroat, Luka Modric, aktualisht nën kontratë deri në vitin 2022, i cili është prioriteti i drejtuesve të skuadrës madrilene. Titullar i padiskutueshëm në formacionin e Carlo Ancelottit, “Topi i Artë” i vitit 2018 vlerësohet gjithashtu për përvojën që mund t’u sjellë të rinjve, si Federico Valverde dhe Eduardo Camavinga.