Ka filluar mbledhja e dy qeverive shqiptare, asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që sot po mbahet në mes të Shqipërisë, në Elbasan.


Mbledhjen e ka filluar kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili ka thënë që sfidë e përbashkët është zbatimi i marrëveshjeve që kanë nënshkruar më parë, por që tash do të ndryshojë. raporton “Zëri”.

“Këto marrëveshje kanë një karakteristikë, nuk janë marrëveshje të radhës që rrezikojnë të mbeten, por janë të bazuara në arritjen e një përfundimi të përbashkët. Nga letra, të kalohet në një punë terreni dhe hapësira e përbashkët të jetë një hapësirë me të vërtetë e përbashkët. Sot jemi në një mbledhje konkrete, me punë konkrete dhe marrëveshje konkrete”, ka thënë Rama.

“Sot çojmë në një fazë tjetër lëvizjen e lirë dhe të punësimit. Sot do të lehtësojmë marrjen e lejes elektronike të qëndrimit, do të hapim pikën kufitare në Shishtavec. Shumë shpejt do të ketë njohje të diplomave automatike”, ka thënë ndër të tjera Rama.

Studimi i fizibilitetit për hekurudhën Durrës – Prishtinë është një nga nënshkrimet që do të ndodhin sot në mbledhjen e dy qeverive në Elbasan, sipas kryeministrit Rama.

Pjesë e fjalimit të tij ishte edhe bashkëpunimi që konsullatat të jenë të përbashkëta në botë, duke thënë se ka një “rezonim për ta realizuar edhe më shumë”.

Kryeministri shqiptar ka potencuar edhe themelimin e sekretariatit koordinues ndërqeveritar.

“Ajo që sot ne e finalizojmë, por e dakordsuam qysh në Prishtinë, është krijimi i sekretariatit koordinues ndërqeveritar, që do të jetë një ndjekës i zbatimit të marrëveshjeve dhe do të raportojë te dy zyrat se ku po ngecin”, tha ai.

Si përfundim, ai tha që vitin e ardhshëm do të jetë një abetare e unifikuar mes shqiptarësh