Rama: Serbia ka pranuar që mes Shqipërisë dhe Kosovës të mos ketë kufij

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha në një intervistë për “Deutsche Welle” se duke u bërë edhe Kosova pjesë e Ballkanit të Hapur, mes saj edhe Shqipërisë nuk do të ketë më kufij, kjo pa u ndeshur me kundërshtimin e Serbisë.

“Serbia ka pranuar që në mes Shqipërisë dhe Kosovës të mos ketë kufij. Gjë që ka qenë premtim i vazhdueshëm i të gjithëve dhe nuk është realizuar dot kurrë, sepse pikërisht sapo i shkonim afër asaj, na ngrihej e gjithë bota dhe thoshin Shqipëria e madhe dhe ka disa që nuk duan ta kuptojnë dhe thonë pse Serbisë do t’i marrim leje ne? Këtu nuk është çështja për të marrë leje. Këtu është çështja që ta bëjmë një gjë për të kuptuar që kjo gjë nuk bëhet dot, nëse Serbia vë alarmin që këta po bëjnë Shqipërinë e madhe”, tha Rama.

“Ndërkohë Serbia jo vetëm që ka hequr dorë nga kjo, në sensin që nuk është pengesë për këtë, por përkundrazi është e gatshme që të pranojë në tryezë si të barabartë edhe Kosovën për të folur për çështjen e Ballkanit të hapur. Tani unë nuk e kuptoj dot se pse duhet refuzuar kjo mundësi dhe pse duhet të vuajnë njerëzit që e kanë të nevojshme në radhë të parë për arsye të punës së tyre, për arsye të biznesit të tyre, për arsye të lëvizjes së tyre Ballkanin e hapur, nuk e kuptoj dot”.

Kryeministri pranoi se përfitimi nga Ballkani i Hapur nuk është ende aq i dukshëm për shkak se nuk janë zbatuar deri në fund ato ndryshime që janë të domosdoshme për ta realizuar Ballkanin e Hapur. Gjithashtu tha se nuk ka asnjë diskutim që Shqipëria dhe rajoni e kanë vendin në Bashkimin Europian dhe do të jenë në Bashkimin Europian. “Kjo është çështje kohe dhe Bashkimi Europian është në një fazë të vështirë të vetën, që duhet ta mirëkuptojmë dhe nuk duhet aspak të humbasim busullën nga kjo, por ne duhet të vazhdojmë me punën tonë. Nuk është puna se mbetemi në Ballkanin e hapur, por Ballkani i hapur është gjëja që na duhet, nuk është hajde t‘i gjejmë punë vetes. Por, na është dashur dhe na duhet për ekonominë, për shoqërinë, për paqen”, tha Rama.