Rama: Nuk kemi më ushtrinë më pak të paguar në NATO, do përmirësojmë akademinë ushtarake

Kryeministri Edi Rama teksa prezantonte buxhetin e vitit 2022 për Ministrinë te Brendshme u ndal më gjatë te Forcat e Armatosura.

Ai e nisi fjalën duke premtuar tjetër rritje pagash për Forcat tona të Armatosura, përveç 30% tashmë të shkruar tashmë në buxhetin e shtetit. Në prezantimin e buxhetit për FA-të, Rama tha se ndihet i lehtësuar sot për mbajtjen e një premtimi dhe se rritja 30% është me e madhja ndonjëherë.

Ai tha se qeveria ka parashikuar përmirësimin e kushteve për në akademi, duke qenë kështu të ngjashëm dhe të përshtatshëm si një vend anëtar i NATO-s.

Gjithashtu, kryeministri tregoi se do të gjejnë të gjithë shqiptarët që kontribuojnë në ushtritë e entiteteve të tjera, në mënyrë që talentin dhe kontributin e tyre ta japin për vendin.

Sakaq, Rama nënvizoi se ka si qëllim të rrisë pagën e ushtarakëve çdo vit, duke mos specifikuar shifër.

“Së pari dua t’ju them drejtpërdrejt meqë më jepet kjo mundësi që jam ndier mirë dhe shumë krenar duke dëgjuar fjalë nga më mbresëlënëset prej gjeneralëve që ishin këtu në Shqipëri dhe drejtuan misionin e madh, stërvitjen më të madhe ushtarake të 3 dekadave të fundit ‘Defender Europe 2021’ dhe realisht ju nuk i keni dëgjuar në media sepse nuk kanë qenë fjalë për media, nuk kanë qenë fjalë për të thënë fjalë të bukura në publik, por kanë qenë fjalë të thëna pa asnjë interes, dhe asnjë nevojë tjetër, përveçse nevojës për të shprehur admirimin për të gjithë ju dhe për të gjithë ata të tjerë që janë pjesëtarë të FA-ve.

Duke e ndjekur këtë aktivitet nga afër mëson që t’i çmosh shumë herë më shumë cilësitë dhe meritat tuaja, të të gjithëve që nga ushtari i saporekrutuar deri tek shefi i shtabit të përgjithshëm, të cilit posaçërisht dua t’i shpreh respektin dhe mirënjohjen për punën që bën. Në më shumë se njëherë kam mundur të çmoj lidershipin e tij.

Nga ana tjetër dua që sinqerisht t’i përshëndes me këtë rast të gjitha familjet tuaja, të gjithë të afërmit tuaj sepse nuk ka asnjë punë të lehtë kur puna duhet bërë mirë, por puna juaj ka një vështirësi të veçantë, imponimin e një sakrifice jo të vogël që është shkëputja nga familja dhe të jetuarit shumë shpesh në distancë me familjen.

Më vjen po ashtu mirë sot t’ju them se unë e shoh me shumë optimizëm çdo ditë të nesërme të FA-ve sepse jo vetëm që do t’i krijojmë deri në fund mundësitë për të fituar shumë nga koha e humbur, por edhe për të zvogëluar sistematikisht hendekun me shumë trupa të tjera ushtarake të Aleancës, në aspektin e motivimit financiar, në aspektin e kushteve dhe të gjitha atyre bonuseve që rrjedhin detyrimisht nga kontributi juaj, por edhe sepse në krye të Ministrisë së Mbrojtjes sot kemi një koleg, një anëtar të kabinetit tonë që është njeriu i duhur në kohën e duhur për të adresuar sfidën e madhe të kalimit të FA-ve në një nivel tjetër, në aspektin e teknologjisë dhe rritjes së kapacitetit dhe kontributit brenda Aleancës falë mundësisë që teknologjia i jep çdo vendi për të bërë kapërcime që kurrë nuk do të ishin të mundura në kohët e mëparshme, kur teknologjia ende nuk ishte kjo që është sot”, deklaroi Rama.

Rama tha më tej se me këtë rritje pagash ne nuk kemi më ushtrinë më pak paguar në NATO duke theksuar synimin që brenda mandatit të tretë të jemi diku në mes të vendeve të Aleancës për pagat e ushtarakëve.

“Dua ta filloj rreshtimin e pak pikave me shprehjen e lehtësimit tim që sot jam këtu para jush me një zotim të mbajtur për një rritje të konsiderueshme të pagave. Nuk është rritja e parë e pagave që bëjmë pas një periudhe shumë të gjatë kur FA-të tona mbetën shumë mbrapa në aspektin e rritjes së pagave, por kjo është një rritje e konsiderueshme. Nëse u takuam me ju pas asaj krize të rëndë zjarresh në gusht, unë thashë se do të rrisim pagat dhe sot pagat faktikisht janë të shkruara me 30% rritje në buxhetin e vitit të ardhshëm, sot po ju them se vitin tjetër do t’i rrisim përsëri pagat.

Besoj që nuk ka asnjë arsye që FA-të për energjinë, sakrificën dhe vlerën e shtuar që krijojnë, si dhe potencialin që kanë për të rritur në mënyrë të vazhdueshme kapacitetin e tyre profesional të jenë mbrapa nga shumë vende të Aleancës, që edhe pse janë shumë të forta se ne ekonomikisht, ne nuk kemi pse të mos synojmë që t’i mbërrijmë. Me këtë rritje pagash ne nuk kemi më ushtrinë më pak paguar në NATO. Nuk jemi as në krye, se aty nuk besoj se do të arrijë ndonjëherë kush, nuk jemi as në mes, por nuk jemi më të fundit. Ky është hapi i parë. Ambicia është që brenda mandatit të tretë, ne të jemi diku në mes.

Besoj që do ta arrijmë. Rritja e pagave që është rritja më e lartë ndonjëherë e pagave për FA-të, është me lartë se paga që u rrit me 25% përpara disa vitesh për policinë e shtetit, kuptohet që vjen si rezultat i asaj që keni dhënë dhe faktit që keni nderuar Shqipërinë dhe e keni vendosur qeverinë e Shqipërisë në një pozitë të vështirë për të gjetur mundësinë që pavarësisht vështirëve të kohës, pavarësisht vështirësive specifike që ne kemi, që lidhen qoftë me goditjen nga tërmeti, apo krizën energjetike, atëherë është e drejtë që ne të presim që nga këto investime të merituara plotësisht të marrim mbrapsht edhe më shumë për vendin. FA-të tona pavarësisht se në numër janë një trupë modeste, pavarësisht se prania e tyre në misione ushtarake jashtë është modeste, ta rrisim me cilësi atë reputacion që sot e ka me të vërtetë të mirë dhe ushtria shqiptarë të bëhet një model se si një vend i vogël ia del të ketë një forcë ushtarake model në çdo pikëpamje”, deklaroi kreu i qeverisë.

“Tjetra ka të bëjë me bazën, me hyrjen në karrierën ushtarake që është dera e akademisë. Nuk mund të pretendojmë të jemi aty ku mund të jemi duke pasur një bazë, që për hir të së vërtetës është larg të qenurit një bazë në lartësinë e asaj që meritojnë për të studiuar në akademinë ushtarake. Por është inekzistente në raport se si duhet të jetë baza e edukimit për një ushtri që synon të ngjisë pak nga pak shkallët në klasifikimin e cilësisë së vendeve të NATO-s. Do të fillojë një mega projekt me faza. Me një fazë të parë që do të garantojë gjithçka që ne duhet të ofrojmë dhe një fazë të dytë e të tretë që do të garantojnë atë që ne duhet të plotësojmë. Do të ndërtojmë një akademi ushtarake që do të jetë model cilësie. Kështu kjo akademi bëhet një akademi që do të shkëlqejë në hartën e sistemit akademik, ushtarak të vendeve të NATO-s.

Pika tjetër është gatishmëria për të krijuar paralelisht me të gjithë kapacitetin në terren me trupa dhe me të gjitha armët konvencionale një forcë gatishmërie e mbrojtje në atë hapësirë që bëhet më e gjerë dhe kërcënuese që është hapësira virtuale, aty ku operohet me teknologji për 1001 të mira, por edhe aty kur forcat potencialisht armiqësore, operojnë për 1001 të zeza. Për këtë arsye na duhet që nga njëra anë ne të forcojmë kapacitetin e kontrollin për territorin dhe gatishmërisë në territor, duke zotëruar mjete të kohës, satelitë, dronë super inteligjentë dhe po ashtu kapaciteti mbrojtës duke zotëruar një mekanizëm të tërë që garanton se e gjithë aktiviteti që zhvillon vendi të mos jetë dot i goditshëm dhe të jetë 100% i sigurt. Këtu vjen një pikë tjetër, mundësia, potenciali dhe ambicia që FA dhe i gjithë sistemi i MB, të kenë në dispozicion një hapësirë ku të bëhet kërkim shkencor, duke i dhënë mundësi vajzave dhe djemve në këto forca që të kenë mbështetje për të zhvilluar së brendshmi kapacitetet teknologjike të ushtrisë shqiptare.

Dihet botërisht, që sistemet e mbrojtjes, janë departamente ku janë bërë çudira që i kanë shërbyer të gjithë vendit. Ne pretendojmë që sistemi ynë i mbrojtjes t’i shërbejë vendit dhe vendoset në dispozicion për vajza dhe djem të talentuar. FA tona të krijojnë një mundësi rekrutimi të këtyre talenteve shqiptare në këtë botë, që punojnë në entitete të tjera, për t’u vendosur në dispozicion e kësaj hapësire të re. Nga ana tjetër, është jashtëzakonisht e rëndësishme të forcojmë kapacitetin e emergjencave civile. Kalimi i emergjencave civile te MB ka qenë gjëja e duhur, rezulton me fakte dhe ajo që na duhet është që vit pas viti të pajisim emergjencat tona civile, me të gjithë dijen për t’u bërë tamam një engjëll mbrojtës për qytetarët e këtij vendi në ditë të vështira. Hapësira për të bërë më shumë është e madhe. Që është goxha e madhe hapësira për t’ju bërë të gjithëve ju të ndiheni krenar që i shërbeni flamurit tonë kombëtar, por për t’ju bërë të ndiheni vërtetë të mbështetur maksimalisht në çdo gjë, çdo ditë. Mos mendoni që është e lehtë për ne që ta dijë se cilat janë nevojat dhe të mos di se këto nevoja t’i adresojë të gjithë njëherësh.

Kini besim që adresimi i nevojave tuaja do të jetë më kuptimplotë. Nuk do të ketë një vit, që nuk do të rriten pagat tuaja. Pagat do të jenë në rritje që ju të mos keni vështirësi kur shkoni në misione jashtë”, tha Rama.