Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur ngushëllime për viktimat e krimit të rëndë që ndodhi mbrëmjen e së premtes në Gllogjan të Deçanit.

Përmes Twitter-it, Rama ka thënë se “Jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë, na kanë brengosur të gjithëve”.

“Ngushëllime vëllazërore familjeve të goditura në zemër nga humbja absurde. Kurajo e mbështetje institucioneve të Kosovës në këtë moment sfidues”, shkruan Rama.

Ndryshe, Tre persona kanë humbur jetën nga të shtënat me armë zjarri në një autobus në Gllogjan të Deçanit i cili po barte nxënës.

Ngjarjen tragjike e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri”, tha Nikçi për Telegrafin.

në vendin e ngjarjes, ku ka ndodhur vrasja e trefishtë nga një sulm i armatosur në autobusin në Gllogjan të Deçanit, kanë dalë Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Kryeprokurori i Prokurorisë në Pejës bashkë me zëvendësprokurorin e kësaj prokurorie, për të hetuar rrethanat e kësaj ngjarje tragjike.