Në rajonin e komunave të Dibrës dhe Qendër Zhupës pothuajse një muaj nuk ka asnjë raste të ri me Covid-19. Dy rastet e fundit janë regjistruar më 19 tetor, muaji në të cilin u konfirmuan gjithsej vetëm katër raste të reja, kundrejt shtatorit kur u konfirmuan 112 raste, ndërsa në gusht ishin konfirmuar 357 raste të reja.“Një periudhë të gjatë kohore, gjegjësisht 26 ditë nuk kemi pasur rast të ri të të infektuarve me Covid-19. Në të njëjtën kohë nuk kemi as raste aktive. Ato tre raste të cilat janë në statistikën zyrtare tani më janë shëruar, por mjekët e tyre amë ende nuk kanë dorëzuar raport përkatës që të mund të fshihen nga lista”, thonë nga Njësia e Dibrës pranë Qendrës për Shëndet Publik.Nga ky institucion shtojnë se situata epidemiologjike mund të vlerësohet si stabile, por edhe më tej, rekomandojnë që të respektohen masat për mbrojtje nga përhapja e virusit korona.Nga fillimi i pandemisë, në këtë rajon, i cili njohët si vatra e parë, u konfirmuan 1.453 persona të infektuar, prej tyre për fat të keq betejën e humbën rreth 80 persona.