Zëdhënësi i Përfaqësisë së Përhershme të Holandës në Bashkimin Evropian, Deniz Horzum, thotë se Kosova s’gëzon përkrahje të mjaftueshme nga shtetet anëtare që t’i liberalizohen vizat. Horzum ka thënë se shteti i tij nuk është i bindur se Kosova ka shënuar progres të mjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.


Komisioni Evropian para tre vjetëve kishte rekomanduar heqjen e regjimit të vizave për Kosovën, por ky rekomandim se ka bindur njërën nga shtetet anëtare të BE-së, Holandën.

Zëdhënësi i këtij shteti në BE, Deniz Horzum ka deklaruar për Gazetën Express se konkluzionet e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave s’ishin mjaftueshëm bindëse që Këshilli i BE-së të vendosë për heqjen e vizave.

“Këshilli i Bashkimit Evropian do të vendosë për liberalizimin e vizave për Kosovën. Deri tani ka përkrahje të pamjaftueshme për liberalizimin e vizave për Kosovën në Këshill. Siç e dini, liberalizimi i vizave është proces teknik, i udhëhequr nga kriteret, në të cilin një shtet duhet t’i plotësojë të gjitha kriteret në mënyrë të qëndrueshme para se Këshilli të mund të vendosë për largimin e kërkesës për viza. Kur Komisioni i BE-së raportoi për herë të fundit për këtë, Holanda arriti në përfundimin se konkluzionet e Komisionit për historikun e Kosovës në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar nuk ishin mjaftueshëm bindëse”, ka deklaruar Horzum.