Personaliteti shkencor, arsimor dhe letrar i Anton Nikë Berishes, ishte tema e sesionit të sotëm shkencor të manifestimit “Ditët e Alfabetit”, zhvilluar në ambientet e Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, e cila është edhe mbështetëse e këtyre aktiviteteve.


Drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani, në fjalën e tij tha se ndjehet i gëzuar që emri dhe vepra e prof. Berishës po bëhen shkas i punës sonë në kuadër të sesionit mbi gjuhën, letërsinë, kulturën dhe traditën e arbëreshëve të Italisë. “Me prof. Berishën na bashkon ideali për të nxjerr nga harresa vlerat tona shpirtërore, siç është edhe rasti me arbëreshët e Italisë. Ky angazhim yni është kambanë alarmi për institucionet tona për një mobilizim më të madh në rikthimin e vëmendjes ndaj botës arbëreshe”, u shpreh Asani.

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, Ylber Sela, tha se institucioni që ai drejton po ndjekin rregullisht këto aktivitete kulturore – shkencore, dhe natyrisht se edhe ky i sotmi që i kushtohet studiuesit të njohur Anton Nikë Berisha, është një kontribut i rëndësishëm për të hedhur dritë mbi figurën e këtij studiuesi që është marrë në mënyrë të veçantë me letërsinë dhe kulturën arbëreshe.
Në emër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, manifestimin e përshëndeti zëvendësministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani.