Presidenti Meta: Thellësisht i tronditur, kam besim se drejtësia në Kosovë do t’i zbulojë autorët sa më parë

President i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar pas krimit të rëndë që ka ndodhur sot në Gllogjan ku mbetën të vrarë tre persona në mesin e tyre edhe dy nxënës.

Meta u ka shprehur ngushëllime familjarëve teksa ka thënë se ka besim që drejtësia do t’i zbulojë autorët.

“Thellësisht i tronditur nga akti kriminal në Gllogjan të Deçanit, ku sipas të dhënave paraprake raportohet për tre humbje jete dhe një të plagosur. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e plotë familjeve të të vrarëve dhe të gjithë popullit të Kosovës, duke bashkëndarë me ta dhembjen e madhe për këtë ngjarje shumë të rëndë. Të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë dhe përgëzoj ekipet mjekësore për përkushtimin dhe profesionalizmin, që po dëshmojnë! Kam besimin e plotë se institucionet përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës do të zbulojnë sa më parët autorët, që meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor”, ka shkruar Meta.