Profesori grek i Pulmologjisë në Universitetin Johns Hopkins, Panagiotis Galiatsatos, shprehu besimin se pandemia do të marrë fund pas 6-8 muajsh.


“Ne kemi vaksinën, trajtimet, barnat Merck dhe Pfizer, ndaj besoj se pandemia do të largohet për 6-8 muaj”, tha profesori përmes SKAI-t, duke shtuar megjithatë se koronavirusi do të mbetet në disa pjesë të botës.

Sipas z. Galiatsatos, vaksinimi është i një rëndësie të madhe dhe në kombinim me masat e tjera mbrojtëse, do të jetë çelësi për t’i dhënë fund pandemisë. “Duhet të vaksinohemi që trupi ynë të jetë më i zgjuar ndaj virusit. Kështu do të jemi gati për rrezikun dhe së bashku me maskat do të largohet edhe pandemia”.

“Shoh pacientë që duan të jetojnë, njeriu do të fitojë se ne e kemi përgjigjen e mikrobeve” është mesazhi optimist i dërguar nga profesori.

Sa i përket intensifikimit të vaksinimeve, ai theksoi se mjekët duhet të fitojnë besimin e qytetarëve për të shkuar më gjerë në qendrat e vaksinimit.