PANAIRET E TEKEVE (ANTI)KULTURORE

(Dy-tri fjalë mbi shkrimin me titull “Panaire të (pa)profilizuara të librit”, të botuar në HEJZA)

Nga Andi TAVANXHIU, Tiranë

Në një shoqëri ideale me një pushtet që njëzet e katër orë në njëzet e katër, i dedikohet eksluzivisht
qytetarit, do të duhej të ndodhte pikërisht ajo që nënvizohet në tekstin me titull “Panaire të
(pa)profilizuara të librit”! Pra, nuk do të ishte keq që të kemi aktivitete të begata kulturore brenda një
panairi kushtuar bazamentit të kulturës dhe qytetarisë – librit!
Unë, për vete, jam vizitues i rregullt i Panairit të Tiranës, mezi e pres ditën kur do të hapet, ndonëse
gjithnjë dal i zhgënjyer dhe i turpëruar, i shqetësuar dhe i acaruar deri aty ku s’mab më!
Nëse do të kishim një shkop magjik me të cilën, tak-fak, do t’i “zhduknim” librat, ç’nivel kulturor do të
ngelte brenda objektit ku organizohet Panairi? Vetëm zhurmë, britma e çjerrje: “rri këtu e mos më ik”,
“lere mos e prek”, “sa herë të thashë mos e merr librin në dorë”, “a e keni (filan) librin”, “sa kushton ai
libër”, “pyete pronarin nëse na i jep këto libra me një çmim më të ulët”…
I sjellim sërish, me shkopin magjik, librat aty ku ishin më parë! Shpesh më ka ndodhur që personin që
gjendet matanë stendës së librave e kam pyetur për ndonjë libër, ndërsa ai ma ka kthyer: “më fal se unë
jam magazinieri dhe nuk di ç’të them”, ose” më fal, por unë jam punëtore që paguhem për këto dy-tre
ditë sa të shes libra sipas çmimit në tiketën mbrapa librave”! Pra, mungojnë ata persona me të cilën
mund të bisedosh për librin që të intereson e që dëshiron të dish pak më shumë mbi autorin, mbi
veprën, mbi përmbajtjen! Nuk është kotësi që të të shpjegojë! Mbase, edhe qëllimisht ikin, sepse as vetë
nuk dinë se çfarë të thonë, sepse as vetë nuk dinë se çka botojnë. Të paktën nëpër stenda të angazhojnë
njerëz që i njohin librat e ekspozuara.
Ndodhë një dukuri edhe më e tmerrshme për ne si komb, si shoqëri! Akcila shtëpi botuese promovon
një libër të një autori shqiptar, kurse në promovim mungojnë gjysma e miqve të tij shkrimtarë,
mungojnë shumë e shumë shkrimtarë, të cilët, ose janë të padëshirueshëm nga botuesi, sepse botojnë
te “botuesit rivalë”, ose thjesht, nuk i ka për qejf botuesi! A ka më siklet për autorin që promovohet se
sa të shohë miq tek vërdallisen derisa atij, në një kënd, i promovohet vepra?
Të njëjtit “shkrimtarë të padëshirueshëm” do të kalojnë me inferioritet pranë stendave të botuesve prej
të cilëve injorohen, ndërsa me libra që i kanë ata pajisen përmes “sekserëve”, ose të afërmeve të tyre që
i dërgojnë t’ua blejnë librat që i pëlqenë!
E kemi pastaj edhe vizitorin militant, i cili as që denjon të kalojë përreth stendës së botuesit të
pozicionuar partiakisht. Apo, bojkotimi i eventit nga shumë botues për shkak se organizator na del të
jetë një botues me etiketën e partisë në ballë! Janë një duzinë anomalish që vërehen nëpër evente të
ngjashme dhe që ua njollosin imazhin që e kanë brenda vetes këto panaire.