Policia holandeze ka qëlluar dhe plagosur së paku dy persona pas shpërthimit të trazirave në Roterdam shkaku i kundërshtimit të masave të reja kundër pandemisë së koronavirusit.


Protestuesit e sulmuan policinë me gurë e fishekzjarrë si dhe ua vunë flakën automjeteve të forcave të rendit. Qindra protestues u mblodhën për ta shfaqur zemërimin e tyre ndaj planeve qeveritare për të kërkuar pasaportë të vaksinimit dhe për ndalimin e fishekzjarrëve në natën e Vitit të Ri.

Autoritetet holandeze javën e kaluar morën vendim për izolim të pjesshëm trejavor pas rritjes së numrit të rasteve me Covid-19, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Shtatë persona u lënduan gjithsej në protestë dhe së paku 20 u arrestuan. Kryetari i Roterdamit, Ahmed Aboutaleb, i kritikoi veprimet e protestuesve duke e cilësuar përleshjen si “orgji të dhunës”.