Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka realizuar takim me kryeprokurorin dhe prokurorët që janë të përfshirë në procesin e aksidentit tragjik që ndodhi mëngjesin e 23 nëntorit në Bullgari.


Osmani ka bërë të ditur se procesi i identifikimit ka filluar sot.

“Ajo çfarë është e rëndësishme, është se procesi i identifikimit të trupave ka filluar. Në këtë proces aktivë janë edhe ekspertët tanë. Ajo çfarë ramë dakord, ishte që të përshpejtohet procesi për grumbullimin e materialit biologjik, procedurë të cilët MPB tashmë e kryen në Shkup”, tha Osmani.

Ka bërë të ditur ky proces i analizës së ADN-së do të zgjasë shtatë ditë dhe prandaj ka kërkuar nga familjarët e viktimave në aksidentin tragjik, të kthehen në Shkup.

“Procesi i analizës së materialit ADN do të zgjasë shtatë ditë dhe kjo është e rëndësishme për familjarët, për shtetin në pjesën e planifikimit”.

“I kam lutur që sot të kthehen në shtëpi, sepse duhet të kalojnë 7 ditë që të përfundojë procesi i identifikimit. Pasi të përfundojë, identifikimi i të gjithë trupave, atëherë Ministria e Punëve të Jashtme do t’i marrë trupat dhe do të organizojë transport me vetura të kufomave të trupave deri në Shkup, pastaj nga Shkupi do të mund t’i tërheqin familjet”, tha Osmani.