Sot e shënojmë këtë ditë e cila paraqet pikë historike të ngritjes së vetëdijes kombëtare por edhe bashkimit letrar, intelektual dhe kulturologjik të të gjithë shqiptarëve, thekson ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në urimin me rastin e Ditës së alfabetit shqip.


Njëqind e trembëdhjetë vite nga Kongresi i Manastirit kur potencialet intelektuale të shqiptarëve nga e mbarë bota u bashkuan për ta unifikuar alfabetin e vet. Në shtetin e sotëm bashkëkohor, Maqedoni e Veriut, gjuha shqipe e mori vendin e vet të merituar si gjuhë zyrtare e vendit, simbolikisht e shprehur përmes shënimit të ditës së sotme. Afirmimi i trashëgimisë gjuhësore, kombëtare dhe shpirtërore të secilës prej bashkësive në vend paraqet sfidë tonën bashkëkohore në të cilën punojmë bashkarisht.

Kjo, thekson Osmani në urim, njëherit është edhe kontributi ynë drejt vlerave evropiane drejt të cilave synojmë, duke ndërtuar me atë edhe themelet bashkëkohore të shtetit tonë të përbashkët. “Urime festën!”, shkruan Osmani në urimin me rastin e Ditës së alfabetit shqip.