Ministri i Punëve të Jashtme dhe zëdhënës i BDI-së, Bujar Osmani, sonte në “Click Plus” ka folur për rrezikun që i kanoset vendit me tentativën për rrëzimin e Qeverisë. Për Osmanin, ky do të ishte një hap drejt destabilizimit të vendit, transmeton TetovaSot.


Ministri beson, ndonëse nuk ka argumente, se pas përpjekjes për rrëzimin e Qeverisë fshihen forca të tjera shkatërruese të jashtme, pa thënë konkretisht se për cilat shtete bëhet fjalë.

Osmani theksoi se janë të hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë që janë për perspektivën evropiane të vendit, përveç të majtës, e cila e konsideron të papranueshëm bashkëpunimin me ta.

Ai foli edhe për idenë e një “bote serbe”, duke thënë se nuk ishte ide e mirë.

“Kjo nuk çon në normalizimin e marrëdhënieve mes popujve të Ballkanit. Dhe normalizimi i marrëdhënieve është më se i nevojshëm që i gjithë rajoni të ecim së bashku drejt BE-së”, tha Osmani.

Ai beson se kjo është një narrativë para zgjedhjeve në Serbi dhe theksoi se do të ketë një hetim nëse janë përdorur fonde të huaja në fushatën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut./TetovaSot