Nesër do të nis kthimi i të mbijetuarve në tragjedinë e rëndë në Bullgari. Fillimisht do të kthehen dy të mbijetuarit e parë . Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, deklaroi se nga spitali në Sofje është informuar që deri më 1 dhjetor do të duhet të lëshohen për në vendlindje të 7 pacientët të cilët i mbijetuan tragjedisë. Osmani po ashtu tha se pritet që nga mesi i javës së ardhshme të përfundojë edhe procesi i identifikimit të kufomave dhe të organizohet transporti i tyre për në Maqedoninë e Veriut. Osmani shtoi se Ministria e Jashtme do të organizoj transportin e veçantë të kufomave, ndërsa potencoi se do ketë takim me familjarët e tyre për të parë cilat janë pritjet dhe kërkesat.


“Planifikohet që nesër më 27 nëntor, të lëshohen në shërim shtëpiak dy të lënduarit e parë, pastaj më 28 dy të tjerët, më 30 dy të tjerët dhe një person më 1 dhjetor. Transferimi i tyre do të bëhet nga Ministria e Shëndetësisë dhe ata fillimisht do të transferohen në spitalet dhe institucionet shëndetësore të vendit këtu në Shkup, e pastaj kur do të bëhet vlerësimi shëndetësor do të vazhdohet trajtimi i tyre në kushte të shtëpisë”- deklaroi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.