OBSH-ja paralajmëron Europën se është sërish në epiqendër të pandemisë

Europa është sërish në epiqendër të pandemisë COVID-19, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë derisa rastet po rriten në gjithë kontinentin.


Shefi i OBSH-së për Europë, Hans Kluge, në një konferencë për media ka thënë se në këtë kontinent mund të ketë edhe gjysmë milioni vdekje të tjera deri në muajin shkurt.

“Ne duhet të ndryshojmë taktikat tona, nga reagimi ndaj rritjes së rasteve me COVID-19 deri në parandalimin që ato të ndodhin në radhë të parë”, ka thënë ai.

Shkalla e vaksinimit ka rënë në gjithë kontinentin në muajt e fundit. Derisa 80 % e popullatës në Spanjë janë vaksinuar plotësisht, ky numër është më i ulët në Francë dhe Gjermani – 68 % dhe 66 % respektivisht – dhe akoma më i ulët në disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore.

Vetëm 32 % e rusëve janë vaksinuar plotësisht deri në muajin tetor të vitit 2021.

Kluge ka fajësuar lehtësimin e masave kundër COVID-19 për rritjen e rasteve në rajonin europian të OBSH-së që mbulon 53 shtete, duke përfshirë edhe pjesë të Azisë Qendrore. Deri më tani, OBSH-ja ka regjistruar 1.4 milion vdekje në këtë rajon.

Drejtuesja e ekipit teknik të OBSH-së për COVID-19, Maria Van Kerkhove, ka thënë se gjatë katër javëve të fundit rastet në Europë janë rritur mbi 55 %, pavarësisht “furnizimit të bollshëm me vaksina”, derisa kolegu i saj Dr. Mike Ryan tha se eksperienca e Europës është paralajmërim për botën.