Adrian Kerimi


Nga viti 2013 lideri socialdemokrat Zoran Zaev ka zhvilluar betejën politike me moton “kundër regjimit të Nikolla Gruevskit”. Si i burgosur politik, në krye të LSDM-së erdhi pas humbjes që partia e cila asokohe drejtohej nga Shekerinska, kishte humbur në zgjedhjet parlamentare. Pas konsolidimit të partisë, në fund të vitit 2014 filloi projektin e “E Vërteta për Maqedoninë”, duke publikuar bombat me afera korruptive dhe skandale të qeverisjes VMRO-BDI, shkruan Alsat.

Pas krizës politike në vitin 2015 e cila kulmoi me Marrëveshjen e Përzhinos, Zaev sistemoi kuadrot partiak në Qeveri teknike. Në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2016 nuk arriti ta mposht Gruevskin. Ndonëse me 2 deputetë më pak, në qershor të vitit 2017 formoi shumicë parlamentare, ndërsa paraprakisht në prill gjatë dhunës në Kuvend ishte shënjestër e grupeve të dhunshme që u futën në Kuvend. Me të formuar Qeverinë, Zaev nënshkroi Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me homologun e tij bullgar Bojko Borisov, marrëveshje e cila u cilësua si çelësi i tejkalimit të dallimeve historike. Në tetor të vitit 2017 në zgjedhjet lokale fitoi 80 për qind të komunave në nivel shteti.

Në vitin 2018 arriti Marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit, marrëveshje e cila fillimisht nuk kaloi filtrin e referendumit. Në fund të 2018 nisi procesin e miratimit të ndryshimeve Kushtetuese si parakusht për t’u bërë anëtare e NATO-s, ndërsa në fillim të vitit 2019 siguroi numrat për ndryshimin e emrit Kushtetues, Republika e Maqedonisë së Veriut. Në dhjetor të vitit 2019 i zhgënjyer nga mos marrja e datës për negociata, paralajmëroi zgjedhje të parakohshme parlamentare të cilat u caktuan për muajin prill të vitit 2020, por nuk u realizuan për shkak të pandemisë.

Në korrik të të njëjtit vit arriti ta mposhtë VMRO-DPMNE-në me dy deputet më shumë. Si kryeministër mori përsipër zbatimin e regjistrimit të popullsisë dhe pjesëmarrjen në projektin rajonal “Open Ballkan” bashkë më Shqipërinë dhe Serbinë. Por çfarë e bëri Zaevin nga njeriu i proceseve integruese të konvertohet në të delegjitimuarin nga populli. Profesori Jeton Shasivari numëron disa faktorë, një ndër ta dështimi i sintagmës politike e një shoqërie për të gjithë.

“Faktori numër një është bllokimi i perspektivës Evropiane për vendin tonë ku kryeministri aktual e pagoi çmimin e këtij dështimi shkaku i bllokimit nga Bullgaria. Një faktor tjetër është përgjegjësia morale. Ne të gjithë e dim se modulares në Tetovë ku të gjithë e dimë se pavarësisht dorëheqjes së ministrit dhe zëvendësministrit, kryeministri nuk e zbatoi procedurën Kushtetuese që t’i procedon të njëjtat në Kuvend”, thotë profesori Jeton Shasivari.

Zaevi për herë të parë u zgjodh në krye të LSDM-së në vitin 2013. Në vitin 2017 ai u rizgjodh për mandatin e dytë dhe katër vite më vonë në mandatin e tretë si kryetar i socialdemokratëve. / Alsat.mk